Shërimi i të verbrit
1 Ndërsa po ecte, Jezui pa një njeri që kishte lindur i verbër. 2 Dishepujt e pyetën: «Mësues, kush ka mëkatuar që ai ka lindur i verbër, ai vetë apo prindërit e tij?». 3 Jezui u përgjigj: «Nuk kanë mëkatuar as ai e as prindërit e tij, por ka lindur i verbër që në të të shfaqen veprat e Perëndisë. 4 Sa është ditë, duhet të bëjmë veprat e atij që më dërgoi. Po vjen nata kur askush nuk mund të veprojë. 5 Për sa kohë të jem në botë, jam drita e botës».
6 Si tha këto, Jezui pështyu në tokë, bëri baltë me pështymë e ia leu sytë me baltë të verbrit. 7 Pastaj i tha: «Shko e lahu te hurdha e Siloamit!», që do të thotë i Dërguari. Ai shkoi, u la dhe kur u kthye, shikonte.
8 Atëherë fqinjët dhe ata që më përpara e kishin parë duke lypur, thoshin: «A nuk është ky ai që rrinte ulur e lypte?». 9 Disa thoshin: «Ai është», ndërsa të tjerë: «Jo, nuk është ai, por i ngjan». Ndërsa ai vetë thoshte: «Unë jam». 10 Atëherë ata e pyetën: «Si t’u hapën sytë?». 11 Ai u përgjigj: «Njeriu që quhet Jezu bëri baltë, m’i leu sytë e më tha: “Shko te hurdha e Siloamit e lahu!”. Unë shkova, u lava e pashë». 12 Ata e pyetën: «Ku është ai njeri?». Ai u përgjigj: «Nuk e di».
Farisenjtë hetojnë shërimin
13 Atëherë atë që kishte qenë dikur i verbër e çuan te farisenjtë. 14 Dita që Jezui bëri baltën dhe hapi sytë e të verbrit, kishte qenë e shtunë. 15 Farisenjtë e pyetën përsëri sesi e fitoi dritën e syve. Ai u tha: «Më vuri baltë mbi sy, u lava e tani shoh».
16 Disa nga farisenjtë thoshin: «Ai njeri nuk është nga Perëndia, se nuk e respekton të shtunën». Disa të tjerë thoshin: «Si mund të bëjë shenja të tilla një njeri mëkatar?». Dhe u përçanë mes tyre.
17 Ata e pyetën përsëri të verbrin: «Ti çfarë thua për atë që t’i hapi sytë?». Ai u tha: «Është profet».
18 Derisa thirrën prindërit e tij, judenjtë nuk donin të besonin se ai kishte qenë i verbër e tani shihte. 19 Pastaj i pyetën prindërit e tij: «A është ky biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? E si shihka tani?». 20 Prindërit e tij u përgjigjën: «E dimë se ky është biri ynë dhe se ka lindur i verbër, 21 por nuk e dimë sesi sheh tani, as se kush ia hapi sytë. Pyeteni vetë, ai e ka moshën për të folur për veten». 22 Prindërit e tij i thanë këto, se kishin frikë nga judenjtë, të cilët kishin vendosur të përjashtonin nga sinagoga këdo që do të rrëfente se Jezui është Krishti. 23 Prandaj edhe prindërit e tij thanë: «Ai e ka moshën, pyeteni vetë!».
24 Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër e i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar». 25 Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër e tani shoh». 26 Ata e pyetën: «Çfarë të bëri? Si t’i hapi sytë?». 27 Ai u përgjigj: «Jua thashë një herë e nuk më dëgjuat. Përse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?». 28 Ata e fyen e i thanë: «Ti je dishepull i tij, ndërsa ne jemi dishepuj të Moisiut. 29 Ne e dimë se Perëndia i ka folur Moisiut, ndërsa për atë nuk e dimë as nga është». 30 Ai u përgjigj: «Është për t’u habitur! Ju nuk e dini nga është e megjithatë ai më hapi sytë. 31 E dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e respekton e që bën vullnetin e tij. 32 Nuk është dëgjuar kurrë që dikush të ketë hapur sytë e dikujt që ka lindur i verbër. 33 Nëse ai nuk do të ishte nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë».
34 Ata i thanë: «Ti ke lindur i tëri në mëkate e do që të na mësosh ne?». Dhe e nxorën jashtë.
Verbëria shpirtërore
35 Kur Jezui mori vesh se e kishin nxjerrë jashtë, e gjeti e i tha: «A beson ti në Birin e njeriut?». 36 Ai u përgjigj: «Kush është, zotëri, që të besoj në të?». 37 Jezui i tha: «Ti e ke parë. Është ai që po flet me ty». 38 «Besoj, o Zot!», i tha ai e ra në gjunjë para tij.
39 Pastaj Jezui tha: «Unë kam ardhur për të bërë gjyq në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin e të verbohen ata që shohin». 40 Disa nga farisenjtë që ishin me të, kur dëgjuan këto fjalë, i thanë: «A mos jemi edhe ne të verbër?». 41 Jezui u tha: «Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat, por tani thoni se shihni, prandaj mëkati juaj mbetet».