Tradhtia dhe arrestimi
(Mt 26.47-56; Mk 14.43-50; Lk 22.47-53)
1 Si tha këto, Jezui doli bashkë me dishepujt e shkoi përtej përroit të Kedronit. Atje ishte një kopsht ku ai hyri me dishepujt. 2 Atë vend e njihte edhe Juda, ai që e tradhtoi, sepse Jezui mblidhej shpesh atje me dishepujt. 3 Kështu, Juda shkoi te kopshti pasi kishte marrë me vete kohortën dhe disa roja, nga kryepriftërinjtë e farisenjtë, me fenerë, pishtarë dhe armë në duar. 4 Jezui, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, u doli para e u tha: «Kë kërkoni?». 5 Ata iu përgjigjën: «Jezuin e Nazaretit». Ai u tha: «Unë jam». Me ta ishte edhe Juda, ai që e tradhtoi. 6 Kur Jezui u tha: «Unë jam», ata u zmbrapsën e ranë përdhe. 7 Atëherë Jezui i pyeti përsëri: «Kë kërkoni?». Ata i thanë: «Jezuin e Nazaretit». 8 Jezui u përgjigj: «Ju thashë se unë jam. Nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë». 9 Kështu u vërtetua fjala që kishte thënë: «Nuk humba asnjë nga ata që më ke dhënë».
10 Simon Pjetri kishte një shpatë. E nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. 11 Atëherë Jezui i tha Pjetrit: «Fute shpatën në mill! Të mos e pi kupën e vuajtjeve që më dha Ati?».
Te kryeprifti
(Mt 26.57-58; Mk 14.53-54; Lk 22.54)
12 Atëherë kohorta, kryemijësi dhe rojat e judenjve e kapën Jezuin, e lidhën 13 dhe e çuan së pari te Hanahu, vjehrri i Kajafës. Kajafa ishte kryeprifti i atij viti. 14 Kishte qenë ky që i kishte këshilluar judenjtë se ishte më mirë që një njeri të vdiste për popullin.
Mohimi i Pjetrit
(Mt 26.69-70; Mk 14.66-68; Lk 22.55-57)
15 Jezuin e ndoqën Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër. Dishepulli tjetër ishte një i njohur i kryepriftit, prandaj hyri bashkë me Jezuin në oborrin e pallatit të kryepriftit. 16 Por Pjetri mbeti jashtë te porta. Atëherë dishepulli tjetër, i njohuri i kryepriftit, doli jashtë t’i fliste shërbëtores që ruante derën dhe e futi Pjetrin brenda. 17 Shërbëtorja që ruante derën i tha Pjetrit: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e atij njeriu?». Ai tha: «Nuk jam».
18 Shërbëtorët e rojat bënë një zjarr me qymyr dhe qëndronin rreth tij e ngroheshin, sepse bënte ftohtë. Edhe Pjetri rrinte me ta e ngrohej.
Marrja në pyetje
(Mt 26.59-66; Mk 14.55-64; Lk 22.66-71)
19 Atëherë kryeprifti e pyeti Jezuin për dishepujt dhe për mësimin e tij. 20 Jezui u përgjigj: «Unë i kam folur hapur botës. Gjithmonë kam mësuar njerëzit nëpër sinagoga e në tempull ku mblidhen gjithë judenjtë e nuk kam folur kurrë fshehtas. 21 Përse më pyet mua? Pyet ata që kanë dëgjuar fjalët që kam folur. Ata e dinë çfarë kam thënë». 22 Kur Jezui tha këto fjalë, një nga rojat që ndodhej atje, i ra me shuplakë e i tha: «Kështu i përgjigjesh kryepriftit?». 23 Jezui u përgjigj: «Nëse fola keq, më thuaj ku qëndron e keqja, por nëse fola mirë, përse më godet?». 24 Atëherë Hanahu e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajafa.
Pjetri e mohon sërish
(Mt 26.71-75; Mk 14.69-72; Lk 22.58-62)
25 Ndërsa Simon Pjetri rrinte e ngrohej, ata i thanë: «Mos je edhe ti një nga dishepujt e tij?». Ai e mohoi e tha: «Nuk jam». 26 Një nga shërbëtorët e kryepriftit, që ishte farefis i atij të cilit Pjetri i kishte prerë veshin, i tha: «A nuk të pashë në kopsht me të?». 27 Pjetri e mohoi përsëri dhe atë çast këndoi gjeli.
Te Pilati
(Mt 27.1-2, 11-14; Mk 15.1-5; Lk 23.1-5)
28 Pastaj Jezuin e çuan nga Kajafa në pretorium. Ishte mëngjes herët dhe judenjtë nuk hynë në pretorium që të mos ndyheshin e që të mund të hanin Pashkën.
29 Atëherë Pilati doli përjashta e u tha: «Çfarë padie ngrini kundër këtij njeriu?». 30 Ata iu përgjigjën: «Po të mos ishte keqbërës ky njeri, nuk do të ta dorëzonim ty». 31 Pilati u tha: «Atëherë merreni ju e gjykojeni sipas ligjit tuaj». Judenjtë i thanë: «Neve nuk na lejohet të vrasim njeri». 32 Kjo, që të vërtetohej fjala që kishte thënë Jezui kur kishte treguar se me ç’vdekje do të vdiste.
33 Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezuin e i tha: «A je ti mbreti i judenjve?». 34 Jezui u përgjigj: «Këtë e thua nga vetja apo ta kanë thënë të tjerë?». 35 Pilati i tha: «Mos jam jude unë? Kombi yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çfarë ke bërë?». 36 Jezui u përgjigj: «Mbretëria ime nuk është prej kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime prej kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos bija në dorë të judenjve. Por mbretëria ime nuk është prej këtej». 37 Atëherë Pilati i tha: «Pra, ti qenke mbret?». Jezui u përgjigj: «Ti vetë po e thua se unë jam mbret. Unë prandaj kam lindur e kam ardhur në botë, që të dëshmoj të vërtetën. Kushdo që është prej së vërtetës e dëgjon zërin tim». 38 Pilati i tha: «Çfarë është e vërteta?».
Dënimi me vdekje
(Mt 27.15-31; Mk 15.6-20; Lk 23.13-25)
Pasi tha këto fjalë, Pilati doli përsëri e u tha judenjve: «Unë nuk gjej asnjë shkak për ta dënuar. 39 Ju keni zakonin t’ju liroj për Pashkë një të dënuar. A doni, pra, t’ju liroj mbretin e judenjve?». 40 Ata thirrën përsëri: «Jo këtë, por Barabën». Baraba ishte kusar.