Udha, e vërteta dhe jeta
1 «Le të mos ju tronditet zemra! Besoni në Perëndinë, besoni edhe në mua! 2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, përndryshe nuk do t’ju thosha se po shkoj t’ju bëj gati vendin. 3 Kur të shkoj e t’ju bëj gati vendin do të kthehem përsëri e do t’ju marr pranë vetes, që edhe ju të jeni atje ku jam unë. 4 Ju e dini udhën për ku po shkoj unë».
5 Thomai i tha: «Zot, ne nuk e dimë ku po shkon, si mund ta dimë udhën?». 6 Jezui i tha: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk shkon tek Ati veçse nëpërmjet meje. 7 Nëse më keni njohur mua do të njihni edhe Atin tim. Madje, që tani e njihni dhe e keni parë».
8 Filipi i tha: «Zot, na trego Atin e kjo na mjafton». 9 Jezui i tha: «Ka kaq kohë që jam me ju e nuk më ke njohur, Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin. Si mund të thuash: “Na trego Atin?”. 10 Nuk beson ti se unë jam në Atin dhe Ati është në mua? Fjalët që ju them nuk i them nga vetja, por Ati që banon në mua i bën këto vepra. 11 Më besoni, unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Në mos, besoni për shkak të vetë veprave. 12 Me të vërtetë po ju them se kush beson në mua do t’i bëjë edhe ai veprat që bëj unë, madje do të bëjë vepra edhe më të mëdha, sepse unë po shkoj tek Ati. 13 Unë do të bëj çdo gjë që do të kërkoni në emrin tim, që Ati të përlëvdohet në Birin. 14 Çfarëdo që të më kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj».
Premtimi i Shpirtit të shenjtë
15 «Nëse më doni, do të zbatoni urdhërimet e mia. 16 Unë do t’i kërkoj Atit t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju, 17 Shpirtin e së vërtetës, të cilin bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e shikon e nuk e njeh. Ju e njihni, sepse qëndron pranë jush dhe do të jetë në ju.
18 Nuk do t’ju lë jetimë. Do të vij te ju. 19 Edhe pak e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni. Ju do të jetoni, sepse jetoj unë. 20 Atë ditë ju do të kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju.
21 Kush i ka urdhërimet e mia e i zbaton ato, ai më do. Atë që më do mua, do ta dojë Ati im. Edhe unë do ta dua e do t’i shfaqem». 22 Juda, jo Iskarioti, i tha: «Zot, përse do të na shfaqesh neve e jo botës?» 23 Jezui i tha: «Kush më do mua do të zbatojë fjalën time. Ati im do ta dojë dhe unë e Ati do të vijmë e do të banojmë tek ai. 24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia. Fjala që dëgjoni nuk është e imja, por e Atit që më dërgoi.
25 Këto gjëra jua thashë sa jam ende me ju. 26 Ngushëlluesi, Shpirti i shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’ju mësojë gjithçka e do t’ju kujtojë gjithçka që ju thashë.
27 Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Unë nuk jua jap paqen siç jua jep bota. Le të mos ju tronditet zemra, as të mos ju frikësohet!
28 Më dëgjuat kur ju thashë: “Po shkoj e do të vij përsëri te ju”. Po të më donit do të gëzoheshit që po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. 29 Jua thashë që tani përpara se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë. 30 Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen sundimtari i kësaj bote. Ai nuk ka asnjë pushtet mbi mua. 31 Por bota duhet ta dijë se unë e dua Atin e bëj atë që më urdhëroi Ati të bëj.
Ngrihuni të ikim prej këtej!».