Larja e këmbëve
1 Ishte para festës së Pashkës. Jezui e dinte se kishte ardhur ora të shkonte nga kjo botë tek Ati. Ai i kishte dashur të vetët që ishin në botë dhe i kishte dashur deri në fund.
2 Gjatë darkës djalli kishte futur tashmë tradhtinë në zemrën e Judës së Simon Iskariotit.
3 Jezui e dinte se Ati i kishte dhënë gjithçka në dorë dhe se nga Perëndia kishte dalë e te Perëndia po kthehej. 4 Atëherë u ngrit nga darka, hoqi petkun, mori një peshqir dhe e lidhi në brez. 5 Pastaj hodhi ujë në një enë e filloi t’ua lante këmbët dishepujve e t’ua fshinte me peshqirin që kishte lidhur në brez. 6 Kur mbërriti te Simon Pjetri, ky i tha: «Zot, ti të më lash këmbët?». 7 Jezui iu përgjigj: «Tani ti nuk e kupton këtë që po bëj, por do ta kuptosh më vonë». 8 Pjetri i tha: «Nuk do të m’i lash kurrë këmbët!». Jezui u përgjigj: «Po nuk t’i lava, nuk ke pjesë me mua». 9 Simon Pjetri i tha: «Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart, edhe kokën». 10 Jezui i tha: «Kush është i larë, është krejt i pastër dhe nuk ka nevojë të lajë veçse këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë». 11 Jezui e dinte kush do ta tradhtonte prandaj tha: «Ju nuk jeni të gjithë të pastër».
12 Pasi u lau këmbët, Jezui veshi rrobat, u ul përsëri e u tha: «E kuptoni këtë që ju bëra? 13 Ju më quani Mësues dhe Zot dhe mirë thoni, sepse jam. 14 Nëse unë pra, Zoti dhe Mësuesi, ju lava këmbët, edhe ju duhet t’ia lani këmbët njëri-tjetrit. 15 Ju dhashë shembullin që të bëni siç bëra unë. 16 Me të vërtetë po ju them se asnjë shërbëtor nuk është më i madh se i zoti dhe asnjë i dërguar nuk është më i madh se ai që e ka dërguar. 17 Nëse i keni kuptuar këto gjëra dhe nëse i zbatoni, do të jeni të lumë.
18 Nuk po flas për të gjithë ju. Unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet Shkrimi: ai që ha bukë me mua ka ngritur thembrën kundër meje. 19 Po jua them që tani, përpara se të ndodhë, që kur të ketë ndodhur të besoni se unë jam. 20 Me të vërtetë po ju them se kush pranon atë që do të dërgoj unë, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi».
Parathënia e tradhtisë
(Mt 26.20-25; Mk 14.17-21; Lk 22.21-23)
21 Si tha këto, Jezui u trondit në shpirt e tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri prej jush do të më tradhtojë». 22 Dishepujt filluan të shikonin njëri-tjetrin, se nuk e dinin për kë e kishte fjalën. 23 Njëri prej dishepujve të tij, ai që Jezui e donte, ishte mbështetur te kraharori i Jezuit. 24 Atëherë Simon Pjetri i bëri shenjë ta pyeste Jezuin për kë e kishte fjalën. 25 Ai u përkul mbi kraharorin e Jezuit e i tha: «Zot, kush është?». 26 Jezui u përgjigj: «Është ai të cilit do t’i jap kafshatën që do të ngjyej». Pasi e ngjeu kafshatën, ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27 Si mori kafshatën, tek ai hyri Satani. Atëherë Jezui i tha: «Ç’ke për të bërë, bëje shpejt!». 28 Asnjë nga ata që ishin ulur nuk e kuptoi përse i tha ashtu. 29 Meqenëse Juda mbante qesen e parave, disa nga ata kujtuan se Jezui i kishte thënë të shkonte e të blinte ç’nevojitej për festën apo ndonjë gjë për t’u dhënë të varfërve. 30 Juda mori kafshatën dhe doli menjëherë jashtë.
Ishte natë.
Urdhërimi i ri
31 Kur doli Juda, Jezui tha: «Tani u përlëvdua Biri i njeriut dhe Perëndia u përlëvdua në të. 32 Nëse Perëndia u përlëvdua në të, Perëndia do ta përlëvdojë në veten e tij dhe do ta përlëvdojë menjëherë.
33 Bijtë e mi, edhe pak kohë jam me ju. Do të më kërkoni, por tani po ju them atë që u thashë judenjve: “Atje ku po shkoj unë, ju nuk mund të vini”. 34 Po ju jap një urdhërim të ri: duajeni njëri-tjetrin sikurse ju kam dashur unë. 35 Të gjithë do t’ju njohin që jeni dishepujt e mi nëse keni dashuri për njëri-tjetrin».
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mt 26.31-35; Mk 14.27-31; Lk 22.31-34)
36 Simon Pjetri i tha: «Zot, ku po shkon?». Jezui u përgjigj: «Atje ku po shkoj unë, tani ti nuk mund të më ndjekësh, por do të më ndjekësh më vonë». 37 Pjetri i tha: «Zot, përse nuk mund të të ndjek tani? Unë do të jepja edhe jetën për ty». 38 Jezui u përgjigj: «Ti do të japësh jetën për mua? Me të vërtetë po të them se gjeli nuk do të këndojë para se të më mohosh tri herë».