Galatasve 6

Barrët e njëri-tjetrit

Vëllezër, nëse ndokush kapet në faj, ju që keni Shpirtin e shenjtë ndreqeni atë me shpirtbutësi, por ruhuni se mos tundoheni edhe ju vetë. Mbajini barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.

Sepse, nëse ndonjëri mendon se është dikush, duke mos qenë askush, ai mashtron veten. Secili të shqyrtojë veprat e veta e pastaj të krenohet vetëm me veten e jo me dikë tjetër. Sepse çdonjëri do të mbajë barrën e vet.

Kush mëson fjalën e Perëndisë, le të ndajë me mësuesin e vet të gjitha të mirat e tij.

Mos t’ju gënjejë mendja: Perëndia nuk vihet në lojë. Ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Kush mbjell sipas dobësisë së vet njerëzore, prej saj do të korrë shkatërrimin, ndërsa kush mbjell sipas Shpirtit, do të korrë prej tij jetën e amshuar. Le të mos lodhemi duke bërë të mirën, sepse, po të mos dorëzohemi, do të kemi edhe të korra në kohën e duhur. 10 Prandaj, sa të kemi kohë, të punojmë për të mirën e të gjithëve, sidomos të vëllezërve në besim.

Paralajmërimi i fundit

11 Shikoni me ç’shkronja të mëdha ju shkrova me dorën time.

12 Ata që ju detyrojnë të rrethpriteni duan të dalin mirë para njerëzve vetëm që të mos përndiqen për kryqin e Krishtit. 13 Madje as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që të mburren me ju. 14 Sa për mua, unë nuk dua të krenohem me asgjë tjetër, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, përmes të cilit jam i vdekur në kryq për sa i përket botës dhe bota për sa më përket mua.

15 Sepseë nuk vlejnë gjë as rrethprerja, as parrethprerja, por vlen vetëm krijesa e re. 16 Të gjithë ata që do të ndjekin këtë rregull, paçin paqe e mëshirë, ata dhe Izraeli i Perëndisë.

17 Që tani e tutje asnjeri të mos m’i shtojë mundimet, sepse unë mbart shenjat e plagëve të Jezuit në trupin tim.

18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen!


 ë6.15 dorëshk. të tjera edhe: në Krishtin Jezu