Galatasve 3

Ligji apo besimi

O galatas të marrë, kush jua mori mendtë si me magji juve, para syve të të cilëve Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar? Vetëm këtë dua të marr vesh prej jush, a e morët Shpirtin falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit? Kaq të marrë qenkeni? Pasi filluat të jetonit në Shpirtin, tani po përfundoni në një jetë sipas trupit njerëzor? Më kot i përjetuat gjithë këto gjëra? A thua vërtet më kot? Ai, pra, që ju jep Shpirtin e vepron me fuqi ndër ju, a mos i bën këto falë veprave që kërkon ligji apo falë dëgjesës së besimit?

Kështu Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi.

Dijeni, pra, se ata që besojnë janë bij të Abrahamit. Prandaj Shkrimi, duke paraparë se Perëndia do t’i bënte të drejta kombet përmes besimit, ia dha Abrahamit që më parë lajmin e mirë: gjithë kombet do të bekohen në ty. Kështu, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me besëtarin Abraham.

10 Ata që mbështeten në veprat që kërkon ligji janë nën mallkim, sepse Shkrimi thotë: qoftë mallkuar kushdo që nuk vazhdon të bëjë gjithçka që është shkruar në librin e Ligjit. 11 Është e qartë se askush nuk bëhet i drejtë para Perëndisë me anë të ligjit, sepse i drejti do të jetojë prej besimit.

12 Ligji nuk buron prej besimit, por kush i zbaton urdhërimet e tij do të jetojë prej tyre. 13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit duke u bërë vetë mallkim për ne, sepse Shkrimi thotë: i mallkuar është cilido që varet në dru. 14 Prandaj, bekimi i Abrahamit u vjen kombeve me anë të Krishtit Jezu dhe premtimin e Shpirtit ne e marrim përmes besimit.

Ligji dhe premtimi

15 Vëllezër, po flas si njeri. Asnjeri nuk i heq e nuk i shton gjë një besëlidhjeje njerëzore pasi kjo të jetë vulosur. 16 Premtimet iu bënë Abrahamit dhe pasardhësitç të tij. Shkrimi nuk thotë: «Edhe pasardhësve» si për shumë të tillë, por për një të vetëm: «Dhe pasardhësit tënd» që është Krishti. 17 Ja çfarë po them: ligji, që u dha katërqind e tridhjetë vjet më vonë, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e bërë më parë nga Perëndia e as premtimin. 18 Nëse trashëgimia do të vinte prej ligjit, nuk do të vinte nga premtimi. E, pra, Perëndia ia dhuroi atë Abrahamit me anë të premtimit.

19 Pse u dha ligji, atëherë? Ai u shtua për shkak të paudhësive, derisa të vinte pasardhësi, të cilit iu bë premtimi. Ligji u shpall prej engjëjve me anë të një ndërmjetësi, 20 por nuk mund të ketë ndërmjetës për një palë të vetme. E Perëndia është një i vetëm.

Skllevërit dhe bijtë

21 A u kundërvihet ligji premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, atëherë njeriu do të bëhej me të vërtetë i drejtë prej ligjit. 22 Por Shkrimi thotë se gjithçka i është nënshtruar mëkatit. Kështu, premtimi i Perëndisë u jepet me anë të besimit atyre që besojnë në Jezu Krishtin.

23 Para se të vinte besimi, ne mbaheshim të burgosur nën fuqinë e ligjit, në pritje të besimit që Perëndia do të zbulonte. 24 Kështu ligji u bë kujdestari ynë deri në ardhjen e Krishtit, që të bëhemi të drejtë me anë të besimit. 25 Me ardhjen e besimit, nuk jemi më nën kujdestarin.

26 Ju të gjithë jeni bij të Perëndisë përmes besimit në Krishtin Jezu. 27 Të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, u veshët me Krishtin. 28 Nuk ka më jude a helen, nuk ka më skllav a të lirë, nuk ka më mashkull a femër, sepse të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezu. 29 Nëse jeni të Krishtit, atëherë jeni pasardhës të Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit të Perëndisë.


 ç3.16 ose: farës