Galatasve 1

Përshëndetja

Unë, Pali, që nuk u bëra apostull prej njerëzve, as prej ndonjë njeriu, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atë, që e ngjalli prej të vdekurve, së bashku me të gjithë vëllezërit që janë me mua, po u shkruaj kishave të Galatisë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krisht! Ai u flijua për mëkatet tona, që të na çlironte nga kjo botë e ligë, sipas vullnetit të Perëndisë dhe Atit tonë. Atij i qoftë lavdia, në shekuj të shekujve! Amen!

Nuk ka ungjill tjetër

Çuditem sa shpejt po largoheni nga Perëndia, që ju thirri në hirin e Krishtit, e po shkoni drejt një ungjilli tjetër. Ungjill tjetër nuk ka, por ka vetëm disa njerëz që ju turbullojnë e duan të shtrembërojnë ungjillin e Krishtit. Por, edhe sikur dikush nga ne apo një engjëll nga qielli t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar ne, qoftë mallkuar. Çfarë ju kemi thënë më parë, po jua them edhe tani: kush t’ju predikojë një ungjill të ndryshëm nga ai që keni pranuar, qoftë mallkuar.

10 A mos po kërkoj të marr pëlqimin e njerëzve a të Perëndisë? Apo po kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Po të kërkoja t’u pëlqeja njerëzve, nuk do të isha shërbëtor i Krishtit.

Thirrja e Palit

11 Po ju vë në dijeni, o vëllezër, se ungjilli që ju shpalla nuk vjen nga njerëzit. 12 As e mora e as e mësova nga ndonjë njeri, por përmes zbulesës së Jezu Krishtit.

13 Ju keni dëgjuar për sjelljen time të dikurshme në judaizëm, me sa zell e përndiqja kishën e Perëndisë e përpiqesha ta shkatërroja. 14 Në judaizëm unë ua kalova shumë prej bashkëmoshatarëve të kombit tim dhe isha tepër i zellshëm ndaj traditave të etërve të mi. 15 Por, kur Perëndisë, që më ndau veç që në barkun e nënës e më thirri përmes hirit të tij, i pëlqeu 16 të më zbulojë Birin e vet për ta kumtuar ndër kombet, unë menjëherë, pa u këshilluar me njeria 17 e pa shkuar në Jerusalem tek ata që ishin apostuj para meje, shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask.

18 Vetëm tre vjet më vonë shkova në Jerusalem për të takuar Kefënb dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë, 19 por nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë përveç Jakobit, vëllait të Zotit. 20 Këto gjëra po i shkruaj para Perëndisë e nuk gënjej.

21 Pastaj shkova në krahinat e Sirisë e të Kilikisë, 22 por kishat e Judesë, që besojnë në Krishtin, nuk më njihnin nga afër. 23 E vetmja gjë që kishin dëgjuar është kjo: «Ai që më parë na përndiqte, tani shpall besimin që dikur përpiqej ta shkatërronte». 24 Ata përlëvdonin Perëndinë për mua.


 a1.16 ose: pa u këshilluar nga mishi e gjaku

 b1.18 ose: Pjetrin