Thirrja e urtisë
1 A nuk thërret vallë urtia?
Po mençuria, a nuk e ngre zërin?
2 Majë lartësive, përgjatë rrugës,
në udhëkryqe, aty ajo zë vend.
3 Pranë dyerve të hapura të qytezave,
te hyrja e portaleve, aty ajo bëzan:
4 «Ju, o njerëz, ju po ju thërras
e zëri im u flet bijve të njerëzve.
5 Kuptojeni, o të pamësuar, zgjuarsinë,
e ju, o të marrë, thirrini mendjes.
6 Dëgjoni, se do të them fjalë fisnikërie,
çfarë del nga buzët e mia është drejtësi,
7 se goja ime thotë të vërtetën
e buzëve të mia u pështiret ligësia.
8 Fjalët e gojës sime janë krejt të drejta
e nuk gjendet në to dredhi a prapësi.
9 Të drejta ato janë për kë arsyeton,
të çiltra për atë që ka arritur njohjen.
10 Kapuni pas parimit tim e jo pas parasë,
se duhet zgjedhur njohja e jo ari.
11 Urtia vlen më shumë se gurët e çmuar,
është e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi.
Urtia flet për veten
12 Unë, urtia, zotëroj zgjuarsinë,
kam njohjen e jam e arsyeshme.
13 Kush druan Zotin, e urren të keqen.
Unë urrej krenarinë e mendjemadhësinë,
udhët e këqija e gojën e ligë.
14 Mua më përket këshillimi e mençuria,
i imi është kuptimi, e imja forca.
15 Falë meje mbretërit mbretërojnë
e sunduesit ushtrojnë drejtësinë.
16 Falë meje princat sundojnë
e fisnikët mbarë gjykojnë me drejtësi.
17 Unë i dua ata që më duan,
e ata që më kërkojnë, më gjejnë.
18 Me mua janë pasuria e nderi,
të mirat e përhershme dhe drejtësia.
19 Fryti im është më i mirë se ari,
më i mirë se ar i kulluar.
Më mirë begatia ime,
se argjendi i zgjedhur.
20 Unë eci udhës së drejtësisë,
përmes shtigjeve të së drejtës,
21 për t’i bërë, ata që më duan,
trashëgimtarë të të mirave,
e për të mbushur thesaret e tyre.
Urtia krijuese
22 Zoti më bëri fillimind e udhës së tij,
pikënisjen e veprave të tij qëkur.
23 Qëmoti kam qenë caktuar,
që në krye të herës,
para se toka të zinte fill.
24 Kur ende s’kishte humnera,
unë isha lindur.
Kur s’kishte ende gurra me ujë të bollshëm,
25 para se të ngriheshin malet
e para se të ishin kodrat,
unë isha lindur.
26 Ende nuk e kishte krijuar tokën, as fushat,
as të parin pluhur të botës.
27 Kur i nguliti qiejt, unë isha aty.
Kur skajoi humnerën,
28 kur i ngjeshi retë atje lart,
kur i forcoi gurrat e humbëtirës,
29 kur u vuri cakun detit
e ujërave, që të mos vërshojnë,
kur hodhi themelet e tokës,
30 unë isha pranë tij si kryemjeshtër.
Isha ditë për ditë gëzimi i tij,
dëfrehesha para tij përherë,
31 duke luajtur me rruzullin e tokës
e duke u ngazëlluar me bijtë e njerëzve.
Porosia e urtisë
32 Prandaj, bijtë e mi, dëgjomëni:
lum ata që ndjekin udhët e mia!
33 Dëgjojeni porosinë, bëhuni të urtë
e mos e shpërfillni.
34 Lum njeriu që më dëgjon mua,
që vëzhgon përditë dyert e mia
e pret te pragjet e hyrjeve të mia.
35 Kush më gjen mua, gjen jetën
e fiton përkrahjen e Zotit,
36 por kush mëkaton ndaj meje, lëndon veten.
Të gjithë ata që më urrejnë mua,
duan vdekjen».