Për gratë dhe dashurinë
1 Biri im, vërja mendjen urtisë sime
vëri vesh arsyetimit tim,
2 që të ruash gjykimin
e buzët e tua t’i përmbahen njohjes.
3 Buzët e së huajës pikojnë mjaltë,
më e butë se vaji është gojë e saj,
4 porse në fund e hidhur si pelini,
e mprehtë si shpata me dy tehe është.
5 Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes,
hapat e saj çojnë drejt e në skëterrë,
6 shpërfillshëm për udhën e jetës
enden pa ditur në ç’shteg.c
7 Ndaj dëgjomëni, o bij,
e mos ikni nga fjalët e gojës sime:
8 larg saj mbaje udhën tënde
e mos iu avit pragut të shtëpisë së saj,
9 që të mos ua dorëzosh të tjerëve nderin tënd
e ndonjë të pashpirti vitet e tua;
10 të mos i shërbejë forca jote të huajit,
e mundi yt shtëpisë së ardhacakut;
11 që të mos vajtosh mbi fatin tënd,
e, ndërsa merr fund mishi e trupi yt,
12 të thuash: «Si e urreva rregullin,
si e përbuzi zemra ime qortimin?
13 Si s’e dëgjova zërin e udhërrëfyesit tim?
Si s’u vura vesh mësuesve të mi?
14 Për pak u gjeta në të keqen e madhe
përpara bashkësisë e kuvendit».
15 Pi ujë prej sternës sate,
atë që gurron nga pusi yt,
16 që të mos rrjedhin përjashta burimet e tua
e rrëketë e ujit nëpër sheshe,
17 por të jenë për ty, vetëm për ty
e jo për të huajt bashkë me ty.
18 Qoftë bekuar gurra jote!
Gëzohu me gruan e rinisë sate:
19 drenushë e dashur, sorkadhe e hijshme.
Ndër gjinjtë e saj gjetsh kënaqësi
e dashuri’ e saj të dehtë përherë.
20 Përse, o biri im, joshesh nga e panjohura
e bie në krahët e së huajës?
21 Udhët e njeriut janë para syve të Zotit,
ai i shqyrton të gjitha shtigjet e tij.
22 Të prapin e zë prapësia e vet,
e zë laku i mëkateve të veta.
23 Ai do të vdesë nga mosbindja e vet,
do të humbasë nga marrëzia e vet.