Fjalët e urta 30

Thëniet e Agurit

Fjalët e Agurit, birit të Jakehut nga Masa. Thëniet e këtij njeriu drejtuar Itielit, për Itielin e Ukalin.j

Unë jam njeriu më trashanik

e nuk e kam mençurinë njerëzore.

Nuk e kam mësuar urtinë

e nuk e kam dijen e të shenjtëve.

Kush është ngjitur në qiell e ka zbritur?

Kush e ka mbledhur erën në grusht?

Kush i ka mbështjellë ujërat me petk?

Kush ia ka vënë të tëra caqet tokës?

Si e ka emrin ai dhe si e ka emrin biri i tij,

nëse e njeh?

Çdo fjalë e Perëndisë është e sprovuar;

ai është mburojë për kë gjen strehë tek ai.

Mos u shto gjë fjalëve të tija,

që mos të të qortojë e të dalësh gënjeshtar.

Dy gjëra kërkoj prej teje,

mos m’i moho para se të vdes:

mashtrimin e fjalët e rreme largoji prej meje;

mos më jep as skamje, as pasuri,

le të ha aq bukë sa më duhet,

që të mos ngopem e të të mohoj

e të them: kush është Zoti;

që të mos varfërohem e të vjedh

e ta përdhos emrin e Perëndisë tim.

10 Mos shpif për shërbëtorin tek i zoti,

se të nëm e të zë nëma.

11 Ka njerëz që mallkojnë etërit e vet

e nuk bekojnë nënat e veta.

12 Ka njerëz që e mbajnë veten për të pastër,

por nuk janë larë nga të pëgërat.

13 Ka njerëz që picërrojnë sytë e vrenjtin vetullat.

14 Ka njerëz që dhëmbët i kanë si shpata e nofullat si thika,

për të shqyer të varfrit nga toka

e të skamurit nga mesi i njerëzve.

15 Ushunjëza ka dy bija: «Jep! Jep!».

Tri gjëra nuk ngopen kurrë,

katër nuk thonë kurrë: «Mjaft!»:

16 skëterra, barku shterpë,

toka e etur për ujë

e zjarri që nuk thonë: «Mjaft!».

17 Sytë e atij që shpotit të atin e s’i bindet të ëmës

do t’i nxjerrin korbat e shpatit

e do t’i hanë zogjtë e shqiponjës.

18 Tri gjëra janë tepër të habitshme për mua,

por katër as që i marr vesh:

19 udhën e shqiponjës në qiell,

udhën e gjarprit nëpër shkrepa,

udhën e anijes në mes të detit

e udhën e njeriut për te një vashë.

20 Ja si sillet gruaja kurorëshkelëse:

ha, lan gojën e thotë:

«S’kam bërë keq».

21 Për tri gjëra dridhet toka,

por katër as që i duron:

22 skllavin që bëhet mbret,

të marrin që ngopet me bukë,

23 gruan e urryer që martohet

e skllaven që i zë vendin të zonjës.

24 Katër janë gjërat e vogla të tokës,

por e kanë nxënë urtinë:

25 thneglat, popull pa fuqi,

që verës përgatisin ushqimin për vete;

26 vjedullat, popull pa pushtet,

që kanë vënë banesat nëpër shkëmbinj;

27 karkalecat, që nuk kanë mbret,

por ecin të tërë në rresht;

28 hardhucat, që kapen me dorë,

por i gjen në pallatin mbretëror.

29 Tri gjëra çapiten hijshëm,

katër ecin hijerëndë:

30 luani, kafsha më e fortë,

që nuk zmbrapset përballë asgjëje;

31 gjeli parzëmfortë,

cjapi dhe mbreti në krye të ushtrisë.

32 Nëse marrëzisht je krenuar,

nëse ke thurur plane,

mbaje gojën me dorë,

33 se duke tundur qumështin, del gjalpi,

duke u fryrë hundëve, del gjaku

e duke i fryrë zemërimit, del grindja.


 j30.1 të tjerë: jam i lodhur o Perëndi, jam i lodhur o Perëndi e po mekem