1 I paudhi arratiset edhe pa e ndjekur kush,
por i drejti ka vetëbesim si luani.
2 Në një vend ku shkelet ligji, dalin shumë krerë,
por, me një njeri të mençur, ka qëndrueshmëri.
3 Varfanjaku që shkel skamnorin,
si rrebeshi që shkreton e lë pa bukë.
4 Kush braktis ligjin, lëvdon të paudhin,
por kush e zbaton ligjin, lufton kundër tij.
5 Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë të drejtën,
por kush kërkon Zotin, kupton gjithçka.
6 Më mirë i varfri me sjellje të përsosur,
se i pasuri me sjellje të prapë.
7 Kush i përmbahet ligjit, është djalë i mençur,
por kush shoqërohet me grykësit, turpëron të atin.
8 Kush e shton pasurinë me përfitim e kamatë,
e mbledh për atë që përkrah skamnorin.
9 Kush i mbyll veshët ndaj ligjit,
edhe lutjen e ka të neveritshme.
10 Kush u prin të drejtëve në udhë të prapë,
bie në gropën e vet,
por trashëgimia e të përsosurve është e mirë.
11 Të pasurit i duket vetja i urtë,
por skamnori e shqyrton me mençuri.
12 Kur ngazëllejnë të drejtët, lavdia është e madhe;
kur ngrihen të paudhët, të gjithë fshihen.
13 Kush fsheh fajet e veta, nuk do të përparojë,
por kush i rrëfen e i braktis, do të mëshirohet.
14 Lum njeriu që jeton me drojë;
kush e ngurtëson zemrën, do të mjerohet.
15 Luan ulëritës e ari i tërbuar
është sundimtari i paudhë për një popull të skamur.
16 Prijësi i paarsyeshëm bën dhunë të madhe;
kujt urren fitimin e padrejtë, do t’i zgjatet jeta.
17 Kush është përlyer me gjak njeriu,
në gropë vaftë e askush mos e ndaltë.
18 Kush jeton me përsosuri, do të shpëtohet;
kush ndjek udhën e shtrembër, do të rrëzohet menjëherë.
19 Kush punon arën do të ngihet me bukë;
kush ndjek kotësi do të ngihet me varfëri.
20 Njeriu i ndershëm do të mbushet me bekime,
por kush ngutet për pasuri, nuk mbetet pa ndëshkim.
21 Nuk është mirë të mbash anë,
por dikush gabon për një copë bukë.
22 Njeriu ziliqar nxiton të pasurohet,
por nuk e di se do ta zërë varfëria.
23 Qortuesi i një njeriu gjen hir më vonë
më shumë se lajkatari.
24 Kush vjedh të atin e të ëmën e thotë: «S’është mëkat»,
është ortak me rrënimtarin.
25 I pangopuri nxit grindje,
por kush shpreson në Zotin, do të kamet.
26 Kush i beson mendjes së vet, është i marrë,
kush ecën me urti, do të shpëtojë.
27 Kush i jep skamnorit, nuk do të ketë skamje,
por kush bën sikur s’sheh, bie në mallkim të madh.
28 Kur ngrihen të paudhët, fshihen të gjithë,
por kur ata marrin fund, shtohen të drejtët.