Fjalët e urta 27

Mos u mburr për nesër,

se nuk e di ç’ndodh sot.

Le të të lavdërojë tjetërkush, por jo ti veten,

një i huaj po, por jo buzët e tua.

Guri është i rëndë e rëra peshon,

por më shumë se këto peshon ngucja e të marrit.

Hidhërimi është mizor e zemërimi shpërthyes,

por kush mund të qëndrojë përballë xhelozisë?

Më mirë qortimi i hapur,

se dashuria e pashprehur.

Plagët e mikut janë të vërteta,

puthjet e armikut, të tepruara.

I ngopuri shkel mbi mjaltë,

të uriturit i duket e ëmbël çdo gjë e hidhur.

Si zogu që endet larg çerdhes

është endacaku larg vendit të vet.

Vaji e temjani e ngazëllejnë zemrën,

edhe ëmbëlsia e mikut më shumë se këshilla njerëzore.i

10 Mos e braktis as mikun tënd, as mikun e atit tënd,

kur të biesh në mjerim, mos shko te shtëpia e vëllait.

Më mirë një mik i afërt, se një vëlla i largët.

11 Bëhu i urtë, biri im, e ma gëzo zemrën,

atëherë mund t’ia kthej fjalën atij që më tall.

12 Njeriu i kujdesshëm e sheh të keqen e fshihet,

por thjeshtakët vijojnë e ndëshkohen.

13 Merrja petkun atij që hyn dorëzanë për të huajin,

mbaje peng për gruan e huaj.

14 Kush e bekon me zë të lartë të afërtin herët në mëngjes,

kjo do t’i quhet mallkim.

15 Pikimi i pafund në një ditë shiu

dhe gruaja grindavece ngjasojnë.

16 Ta ndalësh është si të ndalësh erën,

si të kapësh vajin me dorë.

17 Hekuri mprihet me hekur,

njeriu me njeriun.

18 Kush ruan fikun, i ha kokrrat,

kush kujdeset për të zotin, do të nderohet.

19 Siç pasqyron uji fytyrën,

edhe zemra pasqyron njeriun.

20 Siç nuk kanë të ngopur skëterra e humbëtira,

nuk kanë të ngopur as sytë e njeriut.

21 Argjendi provohet në shkritore e ari në furrë,

njeriu nga lavdet që i thurin.

22 Po ta shtypësh të marrin në shterë, bashkë me grurin që bluan,

prapë nuk do t’i hiqet marrëzia.

23 Njihe mirë grigjën tënde,

mbaje mendjen te tufa jote,

24 se mbrothësia nuk zgjat përgjithmonë

e as kurora brez pas brezi.

25 Sapo të mbarojë sana e të dalë bari,

sa të mblidhet kashta maleve,

26 do të kesh qengja për t’u veshur

e dhi sa për të blerë arën,

27 shumë qumësht dhish për ushqim,

ushqim për shtëpinë tënde e haje për shërbëtoret e tua.


 i27.9 të tjerë: kështu edhe ëmbëlsia e mikut që këshillon çiltërisht