1 Nderimi për të marrin është i pavend,
si bora në verë e shiu në të korra.
2 Si zog flatrues e si dallëndyshe që përendet,
kalon pa goditur mallkimi i kotë.
3 Kalit, frushkullin; gomarit, frerët;
të marrit shkopin kurrizit.
4 Mos iu përgjigj të marrit sipas marrëzisë së tij,
që të mos bëhesh edhe ti si ai.
5 Përgjigjju të marrit sipas marrëzisë së tij,
që të mos i duket vetja i urtë.
6 Kush çon fjalë me anë të të marrit,
i këput këmbët vetes e pi hidhërim.
7 Si zvargia e këmbëve të të çalit,
fjala e urtë në gojën e të marrit.
8 Nderimi për të marrin,
si guri lidhur në hobe.
9 Si ferrat në dorën e të dehurit
është fjala e urtë në gojën e të marrit.
10 Kush merr në punë të marrin dhe endacakun
është si një shigjetar që plagos këdo.
11 Si qeni që kthehet në të vjellat e veta,
i marri që i kthehet marrëzisë.
12 Po të shohësh një njeri që i duket vetja i urtë,
atëherë prit më shumë prej të marrit se prej tij.
13 Përtaci thotë: «Luanesha në rrugë!
Luani në shesh!».
14 Dera rrotullohet në menteshat e veta
e përtaci në shtratin e vet.
15 Përtaci e zhyt dorën në pjatë,
por përton ta çojë te goja.
16 Përtacit i duket vetja më i urtë
se shtatë vetë që përgjigjen me mend.
17 Kush përzihet kalimthi në zënkat që s’i përkasin,
është si ai që kap qenin për veshi.
18 Porsi i çmenduri që gjuan me shigjeta
e heshta vdekjeprurëse,
19 është kush gënjen mikun
e i thotë: «Po bëja hoka!».
20 Kur s’ka dru, fiket zjarri,
kur mungon shpifësi, pushojnë grindjet.
21 Si thëngjilli për prushin e druri për zjarrin,
ashtu është grindaveci për grindjet.
22 Fjalët e shpifësit janë si gjella e shijshme:
zbresin gjer te zorrët e barkut.
23 Si shtresë argjendi në një enë balte
janë fjalët përvëluese në zemrën e ligë.
24 Kush urren, shtiret me fjalë,
por brenda vetes gatuan mashtrimin.
25 Mos i beso kur e hijeshon zërin,
se në zemër ka një mijë të ligah.
26 Edhe pse e mbulon urrejtjen me shtirje,
ligësia e tij do të dalë në shesh.
27 Kush bën gropën, në gropë do të bjerë;
guri kthehet mbi atë që e rrokullis.
28 Kush gënjen, i urren të gënjyerit e vet;
fjalët lajkatare përgatisin rrëzimin.