1 Mos i ki zili njerëzit e mbrapshtë
e mos dëshiro të rrish me ta,
2 se mendja e tyre pjell dhunë
e buzët e tyre nxisin trazira.
3 Shtëpia ndërtohet me urti,
themelohet me mençuri.
4 Falë dijes, dhomat mbushen
me të mira të çmueshme e të këndshme.
5 Njeriu i urtë është i fortë,
njeriu i ditur është i fuqishëm.
6 Kur përgatitesh për luftë, mendohesh mirë
e fitorja vjen falë shumë këshillave.
7 Dija është tepër e lartë për të marrin,
ai s’e hap dot gojën te porta e qytetit.
8 Kush synon të keqen,
quhet tinëzar.
9 I marri ka synime mëkatare,
përqeshësi u neveritet të gjithëve.
10 Nëse ligështohesh në ngushticë,
paske pak fuqi.
11 Çliroi të dënuarit me vdekje,
ndaloi ata që zvargen drejt thertores.
12 Po të thuash: «Nuk e dinim»,
a s’do ta kuptojë ai që peshon zemrat?
Ai që kujdeset për jetën tënde e di
e do t’ia kthejë secilit sipas veprave të veta.
13 Ha mjaltë, biri im, se është i mirë
e hoja ta ëmbëlson gojën.
14 E tillë është urtia për shpirtin tënd, ta dish,
nëse e gjen, do të kesh një të ardhme
e nuk do të të pritet shpresa.
15 Mos rri në pritë, si i paudhë, te shtëpia e të drejtit
e mos e shkreto banesën e tij,
16 se, i drejti, shtatë herë rrëzohet, por ngrihet,
ndërsa të paudhët bien në zezonë.
17 Po u rrëzua armiku yt, mos u gëzo,
mos të të ngazëllejë zemra, kur ta zërë brenga,
18 që të mos e shohë Zoti, t’i vijë keq,
e ta largojë hidhërimin e vet prej tij.
19 Mos u hidhëro prej bakëqijve
e mos i ki zili të paudhët,
20 se e ardhmja e të keqit nuk do të zgjatë
e llamba e të paudhëve do të shuhet.
21 Druaje, biri im, Zotin dhe mbretin
e mos u përziej me ata që bëjnë ndryshe,
22 se befas do të ngrihet ndëshkimi i tyre
e kush e di si do të rrënohen ata të dy?
Thënie të tjera
23 Edhe këto janë për të urtët.
Të mbash anë në gjyq, nuk është mirë.
24 Kush i thotë të paudhit: «Je i drejtë»,
atë do ta mallkojnë popujt e do ta nëmin kombet.
25 Kush e qorton, do të gëzohet,
mbi të do të bjerë bekimi.
26 Përgjigjja me fjalët e duhura
është si puthja në buzë.
27 Një herë puno përjashta e bëj gati arën,
pastaj ndërtoje shtëpinë.
28 Mos e padit kot fqinjin
e mos të gënjejnë buzët e tua.
29 Mos thuaj: «Siç ma bëri do t’ia bëj,
do t’ia kthej secilit sipas veprës së tij».
30 Kalova pranë arës së përtacit,
pranë vreshtit të njeriut të pamend,
31 dhe ja: kudo ishin rritur ferrat,
e kishin mbuluar hithrat
dhe ishin shembur muret.
32 Shikova e mendova,
pashë e mësova.
33 Me pak gjumë e pak dremitje,
pak pushim duarkryq,
34 vjen skamja si endacake,
nevoja porsi shqytar.