1 Zemra e mbretit është si rrjedhë uji në dorën e Zotit,
ai e kthen nga t’ia ketë ënda.
2 Njeriut i duken të drejta të gjitha rrugët,
por zemrat i peshon Zoti.
3 Të zbatosh të drejtën e drejtësinë
i pëlqen Zotit më shumë se flijimet.
4 Dritë e të paudhëve është mëkati,
shikim poshtërues e zemër mburracake.
5 Synimet e zelltarit sjellin mbarësi,
por kushdo që ngutet përfundon në skamje.
6 Thesaret e mbledhura me gënjeshtra
janë si avulli i davaritur nga ndjekësit e vdekjes.
7 Të paudhët i zvarrit dhuna e vet,
sepse i kundërvihen drejtësisë.
8 Udha e fajtorit është e shtrembër,
vepra e të pastrit është e drejtë.
9 Është më mirë të banosh në qoshen e një pullazi,
se të ndash shtëpinë me një grua grindavece.
10 Shpirti i të paudhit dëshiron të keqen
e para tij s’gjen falje as i afërti.
11 Kur ndëshkohet përqeshësi, urtohet thjeshtaku,
kur mësohet i urti, nxë dijen.
12 I drejti e vëzhgon shtëpinë e të paudhit,
i plandos të paudhët në zezonë.
13 Kush mbyll veshët ndaj britmës së skamnorit,
do të bërtasë vetë e nuk do të marrë përgjigje.
14 Dhurata e fshehtë zbut zemërimin
mita e dhënë nën dorë, tërbimin.
15 I drejti gëzohet kur bëhet drejtësia,
por bakëqijtë tmerrohen.
16 Njeriu që shmanget nga udha e mençurisë
do të prehet në botën e hijeve.
17 Kush jepet pas kënaqësisë është njeri i skamur,
kush jepet pas verës e vajrave erëmirë nuk do të pasurohet.
18 I paudhi do të paguajë për të drejtin,
e i prapi për të mbarin.
19 Më mirë të banosh në vend të shkretë,
se me një grua grindavece e zemërake.
20 Thesare tërheqëse e vajra erëmirë në shtëpinë e të urtit,
por i përlan i marri.
21 Kush ndjek drejtësinë e mirësinë,
do të gjejë jetë, drejtësi e nder.
22 I urti e sulmon qytetin e të fortëve,
ia shemb fortesën ku e kishte varur shpresën.
23 Kush mban gojën e gjuhën e vet,
ruan veten nga vështirësitë.
24 Krenari e mendjemadhi e kanë emrin përqeshës
dhe veprojnë me mburrje të tepërt.
25 Përtaci vdes nga dëshirat e veta,
se duart e tij s’duan të punojnë.
26 Lakmitari lakmon gjithë ditën,
i drejti jep pa kursim.
27 Flija e të paudhit është e neveritshme,
aq më tepër kur kushtohet me prapësi.
28 Dëshmitari i rremë do të marrë fund,
por njeriu që dëgjon do të flasë gjithmonë.
29 I paudhi vrenjt fytyrën,
por i drejti kalit sjelljen.
30 Nuk ka urti, s’ka mençuri
e s’ka këshillë përballë Zotit.
31 Kali është mbrehur për ditën e betejës,
por fitorja i përket Zotit.