1 Vera është përqeshëse, pija e potershme,
kush jepet pas tyre nuk është i urtë.
2 Tërbimi i mbretit është si ulërima e luanit,
kush e ngacmon rrezikon jetën.
3 Shmangia e ngatërresave është nder për njeriun;
çdo i marrë bën shamatë.
4 Përtaci nuk lëron në vjeshtë
e kur vijnë të korrat s’gjen gjë.
5 Shestimet e zemrës janë si ujë i thellë,
por njeriu i mençur i nxjerr ato.
6 Shumë vetë mbahen për njerëz të mirë,
por kush e gjen një njeri besnik?
7 I drejti jeton me ndershmëri,
lum fëmijët që lë pas.
8 Mbreti që rri ulur mbi fronin e gjykimit,
shpërhap tërë të keqen me një shikim.
9 Kush mund të thotë: «E kam zemrën të pastër,
jam i dëlirë nga mëkati»?
10 Një peshë kështu e një peshë ashtu,
një masë kështu e një masë ashtu,
që të dyja i neveriten Zotit.
11 Fëmija njihet nga çfarë bën,
në është e pastër dhe e drejtë vepra e tij.
12 Veshin që dëgjon e syrin që shikon,
që të dy i ka bërë Zoti.
13 Mos të të pëlqejë gjumi, se varfërohesh,
hap sytë e do të ngopesh me bukë.
14 «E keqe, e keqe!», thotë blerësi,
por kur largohet, krenohet me veten.
15 Le të ketë ar e stoli sa të duash,
gjëja më e çmuar janë buzët e ditura.
16 Kujt ka hyrë dorëzanë për të panjohurin, merrja petkun,
mbaje peng për të huajt.
17 Buka e fituar me mashtrim duket e shijshme,
por më pas goja është plot rërë.
18 Bëji planet duke u këshilluar,
hyr në luftë duke u menduar mirë.
19 Shpifësi përendet e zbulon të fshehtat,
mos u përziej me kë s’i mbyllet goja.
20 Kujt mallkon të atin e të ëmën,
do t’i shuhet drita në mes të territ.
21 Trashëgimia e fituar shpejt në fillim
nuk do të jetë e bekuar në fund.
22 Mos thuaj: «Do ta kthej të keqen me të keqe!».
Prit të të lirojë Zoti.
23 Një peshë kështu e një peshë ashtu i neveriten Zotit,
peshorja e rreme nuk është e mirë.
24 Hapat e njeriut i drejton Zoti,
si mundet njeriu ta kuptojë udhën e vet?
25 Njeriu bie në kurth kur ngutet e thotë: «Kjo është e kushtuar!»
e pastaj pendohet për kushtimet.
26 Mbreti i urtë i shpërhap të paudhët
e i shtyp me rrotë.
27 Shpirti i njeriut është llambë e Zotit
që shqyrton gjer në thellësi.
28 Mirësia dhe e vërteta e ruajnë mbretin,
froni i tij mbështetet mbi mirësinë.
29 Krenaria e të rinjve është forca e tyre,
flokët e thinjura janë stolia e pleqve.
30 Plagët që kullojnë lajnë të keqen,
të rrahurat zorrët e barkut.