Fjalët e urta 2

Kundër shoqërive të këqija

«Biri im, nëse i mirëpret fjalët e mia

dhe ruan brenda teje urdhërimet e mia,

duke i vënë vesh urtisë

e duke e prirë zemrën drejt mençurisë,

nëse do t’i thërrasësh mendjes

e do t’i bësh zë mençurisë,

nëse e kërkon atë si argjendin

dhe e gjurmon si thesarin,

atëherë do të kuptosh drojën e Zotit

e do të gjesh dijen e Perëndisë,

se Zoti dhuron urtinë

e prej gojës së tij del dija e mençuria.

Ai i jep mbrothësi të drejtit,

është mburojë për të ndershmin,

mbron shtigjet e drejtësisë

e bën rojë mbi udhën e besëtarëve të vet.

Atëherë do të kuptosh drejtësinë e gjykimin,

çiltërsinë e çdo udhë të mbarë.

10 Do të të hyjë në zemër dija

e njohja do të ta kënaqë shpirtin.

11 Përsiatja do të të ruajë

e mençuria do të të mbrojë,

12 për të të shpëtuar nga udha e keqe,

nga njerëzit që flasin prapësi,

13 nga ata që lënë shtigjet e drejta

për të ecur udhëve të errëta,

14 që kënaqen me të keqen

e ngazëllehen me prapësi të liga.

15 Shtigjet e tyre janë të shtrembra,

udhët e tyre me dredha.

16 Kështu do të shpëtosh nga gruaja e huaj,

nga e panjohurab që të flet ëmbël,

17 që braktis të dashurin e rinisë

dhe harron besëlidhjen me Perëndinë e saj.

18 Shtëpia e saj shpie drejt vdekjes

e udhët e saj drejt hijeve.

19 Ata që shkojnë me të as nuk kthehen më,

as nuk gjejnë më shtegun e jetës.

20 Prandaj, ti ec udhës së mbarë

e mbaj shtigjet e të drejtëve,

21 se të drejtët do ta banojnë tokën

e të përsosurit do të mbeten në të.

22 Të paudhët do të zhbihen nga faqja e dheut

e të pabesët do të çrrënjosen».


 b2.16 të tjerë: kurorëshkelësja