1 Më mirë i varfri i ndershëm,
se gojëpërdali i marrë.
2 Zelli pa dije s’është gjë e mirë;
kush shpejton hapin, humb shtegun.
3 Njeriun e rrënon marrëzia e vet,
por zemra e tij tërbohet kundër Zotit.
4 Kamja i shton e i shumon miqtë,
ndërsa skamnori ngel pa miq.
5 Dëshmitari i rremë s’mbetet pa ndëshkuar,
kush përhap gënjeshtra, nuk ka shpëtim.
6 Dorëdhënët kanë shumë lajkatarë,
të gjithë bëhen miq me kë jep dhurata.
7 Të varfrin e urrejnë të gjithë vëllezërit.
Për më tepër e braktisin edhe miqtë.
Ai i thërret, por s’i gjenden.
8 Kush zë mend, e do veten,
kush ruan mençurinë, gjen të mirën.
9 Dëshmitari i rremë s’mbetet pa ndëshkuar,
kush përhap gënjeshtra, do të rrënohet.
10 Të marrit nuk i shkon mirëqenia,
aq më pak skllavit të sundojë mbi princa.
11 Mirëkuptimi ia zbut zemërimin njeriut,
të mos merret me fyerjen është nder për të.
12 Zemërimi i mbretit është si ulërima e luanit,
por përkrahja e tij është si vesa mbi bar.
13 Djali i marrë është fatkeqësi për të atin,
zënkat e gruas si pikim që s’mbaron.
14 Trashëgimi nga etërit: shtëpi e katandi,
por nga Zoti: një grua plot urti.
15 Përtacia vë në gjumë,
njeriu i plogësht do të uritet.
16 Kush mban urdhërimet, ruan veten,
kush sillet shkujdesur, do të vdesë.
17 Kush përkrah të varfrin, i jep hua Zotit.
Zoti do ta shpërblejë.
18 Sa të ketë shpresë, qortoje birin tënd,
por mos u mbush me duf për ta vrarë.
19 Kush është shumë zemërak duhet ndëshkuar,
se po ta falësh, prapë e përsërit.
20 Dëgjoje këshillën e pranoje rregullin,
që, në fund, të jesh i urtë.
21 Ka shumë shestime në mendjen e njeriut,
por veç plani i Zotit do të qëndrojë.
22 Mirësia e bën të këndshëm njeriun;
është më i mirë i varfri sesa gënjeshtari.
23 Droja e Zotit është jetë,
kush e ka fle i kënaqur, e s’e zë e keqja.
24 Përtaci e zhyt dorën në pjatë,
por nuk e çon dot te goja.
25 Godite përqeshësin e do të zërë mend thjeshtaku,
qortoje të mençurin e do ta kuptojë dijen.
26 Biri i pafytyrë e turpërues
nëpërkëmb të atin e dëbon të ëmën.
27 Biri im, po të mos dëgjosh më qortimin,
shkëputesh nga fjalët e dijes.
28 Dëshmitari i keq e fyen drejtësinë,
goja e të paudhëve e gëlltit mbrapshtinë.
29 Përqeshësit i pret gjykimi,
të marrët druri kurrizit.