Fjalët e urta 14

Gruaja e urtë e lartëson shtëpinë,

e marra e shemb me duart e veta.

Kush shkon udhës së drejtë, druan Zotin,

kush e shmang udhën e Zotit, e nënçmon.

Në gojën e të marrit mbin thupra e mendjemadhësisë,

por të urtët do të shpëtohen prej fjalëve të veta.

Grazhdi pa qe mbetet i zbrazur,

falë fuqisë së një kau, gëlojnë të korrat.

Dëshmitari besnik nuk rren,

dëshmitari i rremë nxjerr veç gënjeshtra.

Përqeshësi e kërkon urtinë, por s’e gjen;

të mençurit i vjen lehtë dija.

Hiqju të marrit,

se nuk do të nxësh fjalët e dijes.

I mprehti e shqyrton me urti sjelljen e vet,

të marrët i pështjellon marrëzia.

Të marrët tallen me mëkatin,

por të drejtët gjejnë hir.

10 Veç zemra e njeh hidhërimin e vet,

e gëzimin e saj s’e ndan dot i huaji.

11 Shtëpia e të paudhëve do të rrënohet,

por streha e të drejtëve do të lulëzojë.

12 Dikujt mund t’i duket e drejtë një rrugë,

por ja që sos shtigjeve të vdekjes.

13 Zemra dhemb edhe në gaz

e gëzimi mund të kthehet në vaj.

14 Dredharaku do të ngopet me sjelljet e veta,

njeriu i mirë edhe më shumë.

15 Thjeshtaku beson gjithçka,

ndërsa i përkori e di ku e hedh hapin.

16 I urti e njeh frikën, ndaj i ikën së keqes,

ndërsa i marri është i cekët e ngulakëmbës.

17 Njeriu idhnak bën marrëzira,

njeriu dinak është i urryer.

18 Thjeshtakët trashëgojnë marrëzinë,

ndërsa të mprehtët kurorëzohen me dije.

19 Të këqijtë përkulen para njerëzve të mirë

e të paudhët te portat e të drejtëve.

20 Të varfrin e urren edhe fqinji i vet,

por të shumtë janë ata që e duan të pasurin.

21 Kush e përçmon të afërtin, mëkaton,

por lum kush përkrah skamnorët.

22 A nuk birren ata që veprojnë keq?

Mirësi e besnikëri për ata që veprojnë mirë!

23 Çdo mund e sjell një dobi,

ndërsa fjalët e shumta janë varfëri.

24 Të urtët kanë për kurorë pasurinë,

por të marrët shkojnë nga marrëzia në marrëzi.

25 Dëshmitari i vërtetë shpëton jetë,

por kush gënjen përhap mashtrim.

26 Në drojën e Zotit mbështetja është e fortë,

ajo është strehim për bijtë e tij.

27 Droja e Zotit është burim jete,

të largon nga leqet e vdekjes.

28 Një popull i madh është lavdia e mbretit,

ndërsa një princ pa popull është i rrënuar.

29 Kush nuk zemërohet shpejt, është plot mend,

një shpirt i ngutur nxjerr në pah marrëzinë.

30 Mendja e shëndoshë e gjallëron trupin,

kurse smira bren eshtrat.

31 Kush nëpërkëmb të vobektin, fyen krijuesin e tij,

por kush përkrah nevojtarin, e nderon.

32 I paudhi rrëzohet prej paudhësisë së vet,

për të drejtin edhe vdekja është strehëg.

33 Urtia prehet në zemrën e të mençurit,

por shfaqet edhe mes të marrëve.

34 Drejtësia e lartëson një komb,

mëkati është turpi i popujve.

35 Mbreti e përkrah shërbëtorin e mbarë,

por zemërohet me turpëruesin.


 g14.32 të tjerë: I drejti shpreson në ndershmërinë e vet