1 Kush do rregullin, do dijen,
por kush e urren qortimin, çnjerëzohet.
2 Kush është i mirë ka përkrahjen e Zotit,
ndërsa njeriun dinak e dënon.
3 Askush nuk zë rrënjë me prapësi,
por rrënja e të drejtëve nuk lëviz.
4 Një grua zonjë është kurorë për të shoqin,
por gruaja që turpëron është kalbësirë për eshtrat e tij.
5 Të drejtët mendojnë drejtësinë,
të paudhët këshillojnë mashtrimin.
6 Fjalët e të paudhëve janë pritë gjakatare,
por të drejtët do t’i çlirojë goja e vet.
7 Të paudhët bien e s’janë më,
por shtëpia e të drejtëve qëndron.
8 Njeriu lavdërohet sipas mençurisë së tij,
por mendjeçarturit do të përbuzen.
9 Më mirë i shpërfillur, por me shërbëtor,
sesa i mburrur, por i pangrënë.
10 I drejti kujdeset për bagëtitë e veta,
por ndjenjat e të paudhëve janë mizore.
11 Kush punon tokën e vet do të ngihet me bukë,
kush rend pas kotësive është i pamend.
12 Dëshira e keqbërësit është rrjetë prapësish,
rrënja e të drejtëve lulëzon.
13 Buzët e përdala janë kurthi i të ligut,
por i drejti do të shpëtojë nga ankthi.
14 Njeriu ngihet me të mirat që nxjerr nga goja,
secili shpërblehet sipas veprave që bën.
15 I marri kujton se sillet drejt,
por kush dëgjon këshillën është i urtë.
16 I marri e tregon qartë zemërimin e vet,
ndërsa i mprehti e fsheh turpërimin.
17 Kush thotë të vërtetën, shpall drejtësinë,
por dëshmitari i rremë, mashtrimin.
18 Kush flet pa menduar është si shpatë therëse,
por gjuha e të urtëve është shërim.
19 Goja e së vërtetës, qëndron përgjithmonë,
por gjuha gënjeshtare vetëm për pak.
20 Në zemrën e mendjekëqijve ka mashtrim,
këshilltarëve të paqes u takon gëzimi.
21 Të drejtin nuk do ta zërë asnjë mjerim,
ndërsa të paudhët do të jenë mbushur me të këqija.
22 Buzët gënjeshtare i neveriten Zotit,
por atë e gëzon kush thotë të vërtetën.
23 Njeriu i mençur nuk e shfaq dijen,
kurse zemra e të marrëve kumton marrëzinë.
24 Dora e punëtorit do të mbizotërojë
e dora e përtacit do të nënshtrohet.
25 Ankthi i zemrës e thyen burrin,
ndërsa një fjalë e mirë e gëzon.
26 I drejti e drejton të afërtin e vet,
por udha e të paudhëve ngatërron vetë ata.
27 Përtaci nuk do të ketë gjah për të pjekur,
por zelli i jep njeriut pasuri të çmueshme.
28 Në udhën e drejtësisë është jeta,
nuk ka vdekje në shtigjet e saj.