Fjalët e urta 1

Fjalët e urta të Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit:

për të njohur urtinë e rregullin,

për të nxënë fjalët e mençura,

për të pranuar qortimet e mprehta,

drejtësinë, gjykimin e çiltërsinë,

për t’u dhënë thjeshtakëve zgjuarsinë,

të rinjve njohjen e shestimin.

Le të dëgjojë i urti e t’i shtohet dija,

ndërsa i kuptueshmi le të marrë udhëzime,

për të kuptuar fjalët e urta dhe enigmat,

thëniet e të diturve e gjëegjëzat e tyre.

Droja e Zotit është fillimi i njohjes,

por të marrët e përçmojnë dijen e rregullin.

I urti ikën nga shoqëria e keqe

Dëgjo, biri im, qortimin e atit tënd

e mos lër pas dore udhëzimet e nënës sate,

se si kurorë e hijshme mbi kokë do të të rrinë

e porsi varëse rreth qafës tënde.

10 Biri im, nëse mëkatarët të ngucin,

mos u vër vesh.

11 Po të thonë: «Eja me ne!

Të zëmë pritë për gjak,

t’i ngremë kurth të pafajshmit, më kot;

12 t’i përpijmë të gjallë, si skëterra,

njëcopësh, si ata që zbresin në varr,

13 të përlajmë çdo gjë të çmueshme

e t’i mbushim shtëpitë me plaçkë;

14 hidh short me ne

e do të mbajmë një qese për ne të gjithë»,

15 ti, biri im, mos shko udhës së tyre,

të mos shkelë këmba jote në atë shteg,

16 se këmbët e tyre turren drejt së keqes

e nxitojnë për të derdhur gjak.

17 Para syve të shpendëve

më kot hidhet rrjeta,

18 por këta zënë pritë kundër gjakut të vet,

ngrenë kurth kundër vetes.

19 I tillë është fati i zhvatësit:

i merr jetën të zotit të vet.

Thirrja e urtisë

20 Urtia thërret udhëve,

ngre zërin shesheve,

21 njofton në krye të rrugëve të zhurmshme

e në dyert e qyteteve jep kumte:

22 «Deri kur, o thjeshtakë, do ta doni papjekurinë?

Deri kur tallësit do të kënaqen së talluri

e të marrët do të urrejnë njohjen?

23 Kthehuni e vëruni vesh qortimeve të mia!

Ja, po hap zemrëna para jush

e po ju bëj të ditura fjalët e mia:

24 ju thirra e ju më përzutë,

ju shtriva dorën e askush s’më vuri re.

25 I shpërfillët tërë këshillat e mia

e nuk i deshët qortimet e mia.

26 Edhe unë do të qeshem me kobet tuaja,

do të tallem kur t’ju zërë frika,

27 kur tmerri të përplaset mbi ju si stuhi

e kobi si thëllim,

kur të jeni në ngushticë e në ankth.

28 Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do të përgjigjem,

do të më kërkojnë me ngulm, por nuk do të më gjejnë.

29 Ngaqë ata e urryen njohjen

e nuk zgjodhën drojën e Zotit,

30 nuk ndoqën as këshillën time

dhe i përçmuan të gjitha qortimet e mia,

31 ata do të hanë frytet e sjelljes së tyre

e do të ngopen me këshillat e veta.

32 Bjerrja e thjeshtakëve do t’i rrënojë

e mendjelehtësia e të marrëve do t’i shkatërrojë,

33 por kush më dëgjon mua do të jetojë i qetë

e do të prehet pa frikë nga e keqja».


 a1.23 ose: derdh shpirtin