Drejtësia e vërtetë
1 Së fundi, vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin. Unë nuk lodhem duke ju shkruar të njëjtat gjëra, por këtë e bëj, se është e dobishme për ju.
2 Ruhuni nga punëtorët e këqij të ungjillit, ruhuni nga ata qen! Ruhuni nga ata që ju shtyjnë të gjymtoheni me anë të rrethprerjes! 3 Sepse rrethprerja jemi ne, ne që i shërbejmë Perëndisë përmes Shpirtit të tij, që krenohemi falë Krishtit Jezu e që nuk i zëmë besë dobësisë njerëzore, 4 megjithëse unë kam përse t’i zë besë edhe dobësisë njerëzore. Nëse ndonjëri mendon se ka arsye t’i zërë besë dobësisë njerëzore, unë kam edhe më shumë: 5 u rrethpreva të tetën ditë, jam nga populli i Izraelit, nga fisi i Benjaminit, hebre e bir hebreu dhe e zbatoja ligjin si farise. 6 Kam qenë aq i zellshëm saqë edhe e kam përndjekur kishën dhe kam qenë i paqortueshëm, sepse bëja një jetë të drejtë sipas ligjit.
7 Por këto gjëra që dikur kishin vlerë për mua, tani i quaj humbje për shkak të Krishtit. 8 E me të vërtetë unë i shoh të gjitha si humbje përballë epërsisë që vjen nga njohja e Krishtit Jezu, Zotit tim. Për shkak të tij unë i humba të gjitha këto dhe i shoh si plehra, në mënyrë që të fitoj Krishtin 9 dhe të jem me të, duke mos u bërë i drejtë përmes ligjit, por përmes besimit në Krishtin, domethënë të bëhem i drejtë nga Perëndia përmes besimit. 10 Unë dua të njoh Krishtin dhe fuqinë e ngjalljes së tij, të marr pjesë në vuajtjet e tij e të bashkohem me të në vdekjen e tij, 11 me shpresën që të arrij të ngjallem prej të vdekurve.
Drejt synimit
12 Nuk them se ia kam arritur fundit e as se jam bërë i përsosur, por ende vrapoj për të fituar çmimin, për të cilin edhe Krishti më fitoi mua. 13 Vëllezër, unë nuk mendoj për veten time se ia kam arritur, por di të them se i kam harruar ato që kam lënë pas dhe se po rend drejt atyre që kam përpara, 14 drejt synimit për të fituar çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë, përmes Krishtit Jezu. 15 Kështu le të mendojmë të gjithë ne që jemi të përsosur në besim. Nëse ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t’ju ndriçojë mendjen edhe për këtë gjë. 16 Pavarësisht se ku kemi arritur, le të vazhdojmë tëc ndjekim të njëjtën udhëç.
17 Vëllezër, më shkërbeni mua dhe shikoni ata që ecin sipas shembullit tim. 18 Siç ju kam thënë shpesh e po jua them edhe tani me lot ndër sy, se ka shumë nga ata që jetojnë si armiq të kryqit të Krishtit. 19 Fundi i tyre është shkatërrimi, perëndia i tyre është barku, ata mburren me gjëra për të cilat duhet të turpëroheshin. Ata e kanë mendjen në gjërat e kësaj bote, 20 ndërsa ne e kemi qytetarinë në qiej, prej nga presim shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht. 21 Ai do ta shndërrojë trupin tonë të mjerë duke e bërë të ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, me anë të fuqisë e pushtetit që do të nënshtrojë gjithçka nën sundimin e vet.