Përdhosja e tempullit
1 Në vitin e gjashtë, në muajin e gjashtë, më pesë të atij muaji, unë isha ulur në shtëpi dhe pleqtë e Judës ishin ulur kundruall meje. Atje ra mbi mua dora e Zotit tim, Zotit. 2 Pashë dhe, ja, një shëmbëllim me pamje njeriu. Prej pamjes së ijëve e poshtë dukej si zjarr, ndërsa prej ijëve e sipër dukej si një shkëlqim me pamje vezulluese. 3 Ai shtriu një trajtë dore dhe më kapi nga flokët që më kishin rënë mbi ballë. Atëherë një shpirt më ngriti mes tokës e qiellit e më çoi në Jerusalem, në një vegim hyjnor, te hyrja e portës së brendshme, me pamje nga veriu, ku ishte vendndodhja e idhullit të smirës që e nguc smirën. 4 Dhe, ja, aty gjendej lavdia e Perëndisë së Izraelit, si vegimi që kisha parë në luginë. 5 Dhe më tha: «Bir i njeriut, çoji sytë drejt veriut!». Unë i çova sytë drejt veriut dhe, ja, në veri të portës së altarit, te hyrja, gjendej idhulli i smirës. 6 Pastaj më tha: «Bir i njeriut, a e sheh çfarë po bëjnë ata, pështirësinë e madhe që shtëpia e Izraelit po bën këtu për të më larguar prej shenjtërores? Por do të shohësh sërish pështirësi edhe më të mëdha». 7 Pastaj më çoi te hyrja e tremes. Pashë dhe, ja, muri kishte një vrimë. 8 Atëherë më tha: «Bir i njeriut, shpoje murin!». E shpova murin dhe, ja, doli një hyrje. 9 Pastaj më tha: «Hyr e shikoji pështirësitë e liga që po bëjnë këtu!». 10 Unë hyra e pashë. Dhe, ja, çdo trajtë zvarraniku e kafshësh të neveritshme dhe të gjithë idhujt e shtëpisë së Izraelit ishin gdhendur në mur rreth e rrotull. 11 Shtatëdhjetë prej pleqve të shtëpisë së Izraelit qëndronin para tyre. Jazanjahu, biri i Shafanit, qëndronte në mes. Secili mbante në dorë nga një temjanicë dhe era e resë së temjanit ngjitej lart. 12 E më tha: «A e pe, bir i njeriut, çfarë po bëjnë pleqtë e shtëpisë së Izraelit në errësirë, secili në dhomën e idhujve të vet? Ata thonë: “Zoti nuk na sheh, Zoti e ka braktisur vendin”». 13 Pastaj më tha: «Do të shohësh sërish pështirësi edhe më të mëdha që i bëjnë ata». 14 Pastaj më çoi te hyrja e portës së tempullit të Zotit, në drejtim të veriut, dhe, ja, pashë disa gra, që rrinin ulur dhe vajtonin Tamuzin. 15 E më tha: «A pe, bir i njeriut? Do të shohësh sërish pështirësi edhe më të mëdha se këto». 16 Pastaj më çoi në tremen e brendshme të tempullit të Zotit dhe, ja, te hyrja e tempullit të Zotit, ndërmjet portikut dhe altarit, rreth njëzet e pesë burra, me shpinë nga tempulli, kishin rënë përmbys në drejtim të lindjes e po adhuronin diellin. 17 E më tha: «A pe, bir i njeriut? Pse, çikërrima ishin pështirësitë që bënë këtu ata të shtëpisë së Judës? Ata e mbushën tokën me dhunë dhe e ngucën përsëri zemërimin tim. Ja, kanë vënë edhe gemin në hundë. 18 Prandaj unë do të veproj me tërbim. Syri im nuk do të ketë mëshirë e unë nuk do të kem dhembshuri. Ata do të më bërtasin në veshë me zë të lartë, por unë nuk do t’i dëgjoj».