1 Këta janë emrat e fiseve: nga skaji verior, përbri udhës së Hetlonit, deri në Lebo Hamat, deri në Hacar Enan, që është në kufirin verior të Damaskut, përbri Hamatit, nga ana lindore deri në perëndim, Dani ka një pjesë. 2 Në kufi me Danin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Asheri ka një pjesë. 3 Në kufi me Asherin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Neftaliu ka një pjesë. 4 Në kufi me Neftaliun, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Manaseu ka një pjesë. 5 Në kufi me Manaseun, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Efraimi ka një pjesë. 6 Në kufi me Efraimin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Rubeni ka një pjesë. 7 Në kufi me Rubenin, nga ana lindore deri në anën perëndimore, Juda ka një pjesë.
8 Në kufi me Judën, nga ana lindore deri në anën perëndimore, do të jetë pjesa që do ta ndani më vete, njëzet e pesë mijë kute e gjerë dhe e gjatë sa njëra pjesë nga ana lindore deri në anën perëndimore. Në mes do të jetë shenjtërorja. 9 Pjesa që do të veçoni për Zotin do të jetë njëzet e pesë mijë kute e gjatë dhe njëzet mijë e gjerë. 10 Kjo do të jetë pjesa e shenjtë e veçuar për priftërinjtë: njëzet e pesë mijë kute në veri, dhjetë mijë kute e gjerë në perëndim e në lindje dhe njëzet e pesë mijë kute e gjatë në jug. Në mes do të jetë shenjtërorja e Zotit. 11 Do t’u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, bijve të Cadokut, që e mbajtën porosinë time dhe nuk e lanë udhën, udhën e bijve të Izraelit, siç e lanë levitët. 12 Do t’u takojë si pjesë nga pjesa e vendit më të shenjtë, ngjitur me truallin e levitëve. 13 Levitët, përgjatë kufijve me priftërinjtë, do të kenë njëzet e pesë mijë kute gjatësi me dhjetë mijë gjerësi. Tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesë mijë kute dhe tërë gjerësia dhjetë mijë. 14 Nuk do ta shesin, nuk do ta këmbejnë dhe nuk do ta tjetërsojnë pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për Zotin.
15 Teprica, pesë mijë kute gjerësi me njëzet e pesë mijë kute gjatësi, do të mbetet për nevojat e rëndomta të qytetit, për banesa dhe për hapësira. Në mes do të jetë qyteti. 16 Këto do të jenë përmasat: ana veriore, katër mijë e pesëqind kute, ana jugore, katër mijë e pesëqind, ana lindore, katër mijë e pesëqind dhe ana perëndimore, katër mijë e pesëqind. 17 Qyteti duhet të ketë hapësirë të lirë: në veri, dyqind e pesëdhjetë kute; në jug, dyqind e pesëdhjetë; në lindje, dyqind e pesëdhjetë dhe në perëndim, dyqind e pesëdhjetë. 18 Teprica, për së gjati, përgjatë pjesës së shenjtëruar, do të jetë dhjetë mijë kute në lindje e dhjetë mijë në perëndim, përgjatë pjesës së shenjtëruar. Prodhimet e saj do të shërbejnë si ushqim për punëtorët e qytetit. 19 Do ta punojnë punëtorët e qytetit prej të gjitha fiseve të Izraelit. 20 Tërë pjesa do të jetë njëzet e pesë mijë kute me njëzet e pesë mijë. Do ta kushtoni si pjesë të shenjtë në pronësi të qytetit.
21 Teprica nga të dyja anët e pjesës së shenjtë dhe të pronës së qytetit do t’i takojë princit. Do të jetë njëzet e pesë mijë kute nga ana e shenjtë, në kufirin lindor dhe, në perëndim, njëzet e pesë mijë kute e gjatë në kufirin perëndimor, përgjatë pjesëve të tjera. 22 Prona e levitëve dhe prona e qytetit do të jetë në mes të pronës së princit, ndërmjet kufirit të Judës dhe kufirit të Benjaminit.
23 Fiset e tjera: nga ana lindore në anën perëndimore, Benjamini ka një pjesë. 24 Në kufi me Benjaminin, nga ana lindore në anën perëndimore, Simeoni ka një pjesë. 25 Në kufi me Simeonin, nga ana lindore në anën perëndimore, Isahari ka një pjesë. 26 Në kufi me Isaharin, nga ana lindore në anën perëndimore, Zabuloni ka një pjesë. 27 Në kufi me Zabulonin, nga ana lindore në anën perëndimore, Gadi ka një pjesë. 28 Në kufi me Gadin, nga ana jugore, drejt jugut, kufiri shkon nga Tamari tek ujërat e Meribë Kadeshit dhe te vau i detit të madh. 29 Kjo është toka që do t’u ndani me short si trashëgimi fiseve të Izraelit dhe këto janë pjesët e saj, kumton Zoti im, Zoti.
Portat e qytetit
30 Këto do të jenë daljet e qytetit: në anën veriore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, 31 tri porta: porta e Rubenit, porta e Judës dhe porta e Levit, pra portat e qytetit të emërtuara sipas fiseve të Izraelit. 32 Në anën lindore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Jozefit, porta e Benjaminit dhe porta e Danit. 33 Në anën jugore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Simeonit, porta e Isaharit dhe porta e Zabulonit. 34 Në anën perëndimore, që do ta ketë masën katër mijë e pesëqind kute, tri porta: porta e Gadit, porta e Asherit dhe porta e Neftaliut. 35 Rrethorja do të jetë tetëmbëdhjetë mijë kute. Emri i qytetit nga ajo ditë do të jetë: Zoti është aty.