Rregulla të ndryshme
1 Kështu thotë Zoti im, Zoti: «Porta e tremes së brendshme me pamje nga lindja do të rrijë mbyllur gjashtë ditë pune, por do të hapet ditën e shtunë dhe do të hapet ditën e parë të muajit. 2 Princi do të hyjë përmes portikut të portës nga përjashta dhe do të ndalet te shtalka e portës. Priftërinjtë do të kushtojnë flitë e tij të shkrumbimit dhe flitë e tij të paqtimit, ndërsa ai do të përkulet te pragu i portës. Pastaj ai do të dalë, por porta nuk do të mbyllet deri në mbrëmje. 3 Populli i vendit do të përkulet para Zotit te hyrja e portës, të shtunave dhe në fillim të muajit. 4 Flija e shkrumbimit që do t’i kushtojë princi Zotit të shtunën do të jetë: gjashtë qengja të patëmetë dhe një dash i patëmetë. 5 Kushtimi i drithit për dashin do të jetë një efah, ndërsa kushtimi i drithit për qengjat do të jetë sipas bujarisë, me nga një hin vaj për efah. 6 Ditën e parë të muajit do të kushtojë një mëzat të patëmetë nga tufa, gjashtë qengja dhe një dash të patëmetë. 7 Do të kushtojë nga një efah për mëzat e nga një efah për dash si fli drithi, ndërsa për qengjat sipas bujarisë, me nga një hin vaj për efah. 8 Kur të hyjë princi, duhet të hyjë nga portiku i portës dhe që andej duhet të dalë.
9 Kur të vijë populli i vendit para Zotit nëpër festa, ai që hyn për adhurim nga porta veriore do të dalë nga porta jugore dhe ai që hyn nga porta jugore do të dalë nga porta veriore. Askush nuk do të kthehet nga porta nëpër të cilën ka hyrë, por secili do të dalë nga e kundërta. 10 Princi do të rrijë mes tyre. Do të hyjë siç hyjnë ata e do të dalë siç dalin ata.
11 Për festa e për kremtime, kushtimi do të jetë një efah për mëzat e një efah për dash. Për qengjat, sipas bujarisë, me nga një hin vaj për efah. 12 Kur princi të kushtojë një fli vullnetare shkrumbimi ose fli paqtimi, si kushtime vullnetare për Zotin, duhet t’i hapet porta me pamje nga lindja. Atëherë ai do ta kushtojë flinë e tij të shkrumbimit dhe flitë e tij të paqtimit siç i kushton ditën e shtunë. Pastaj do të dalë dhe, pasi të dalë ai, do të mbyllet porta.
13 Do të kushtosh një qengj motak të patëmetë si fli shkrumbimi për Zotin. Mëngjes për mëngjes do ta kushtosh. 14 Do të kushtosh mbi të, mëngjes për mëngjes, si fli drithi, një të gjashtën e efahut me një të tretën e hinit të vajit për të ngjeshur miellin. Kjo do të jetë fli drithi për Zotin. Ky është rregull i përhershëm. 15 Do të kushtojnë qengjin, flinë e drithit dhe vajin, mëngjes për mëngjes. Kjo është flija e përhershme e shkrumbimit.
16 Kështu thotë Zoti im, Zoti: nëse princi do t’i japë ndonjërit prej bijve të vet ndonjë dhuratë për trashëgimi, ajo duhet t’u përkasë të bijve. Do të jetë pronë e tyrja e trashëguar. 17 Nëse do t’i dhurojë diçka nga trashëgimia e tij ndonjërit prej skllevërve, dhurata do t’i përkasë skllavit deri në vitin e lirimit, pastaj do t’i kthehet princit. Do t’u përkasë bijve të tij si trashëgimi. 18 Princi nuk do të marrë asgjë nga trashëgimia e popullit, duke ia marrë pronën. Bijtë e tij do të trashëgojnë prej pronave të tija, që askush nga populli im të mos dëbohet nga prona e vet».
Vendet e gatimit
19 Pastaj, përmes hyrjes anash portës, më çoi te dhomat e shenjta të priftërinjve me pamje nga veriu. Dhe ja, aty, në skajin perëndimor kishte një vend. 20 Ai më tha: «Ky është vendi ku priftërinjtë do të ziejnë mishin e flisë për fajin dhe atë të flisë për mëkatin e ku do të pjekin flinë e drithit, që të mos i nxjerrin në tremen e jashtme për të shenjtëruar popullin».
21 Pastaj më nxori në tremen e jashtme dhe më shëtiti në të katër qoshet e tremes. Te secila qoshe e tremes kishte nga një treme. 22 Në të katër qoshet e tremes gjendeshin katër treme të vogla, dyzet kute të gjata e tridhjetë kute të gjera, të gjitha me të njëjtat përmasa. 23 Të katra ishin rrethuar me nga një radhë gurësh dhe, rrëzë murit, nga të gjitha anët, gjendeshin furrat. 24 Ai më tha: «Këto janë kthinat e gatimit, ku shërbestarët e tempullit do të gatuajnë flinë e popullit».