Tempulli i ri
1 Në vitin e njëzet e pestë të shpërnguljes sonë, në fillim të vitit, në ditën e dhjetë të muajit, katërmbëdhjetë vjet pasi kishte rënë qyteti, atë ditë dora e Zoti ishte mbi mua dhe ai më çoi atje. 2 Më çoi në tokën e Izraelit në vegim hyjnor dhe më vuri në një mal shumë të lartë, ku ishte ndërtuar njëfarë qyteti në jug. 3 Më çoi atje dhe, ja, një burrë, me pamje si prej bronzi, me një litar liri e një kallam matës në dorë. Ai qëndronte te porta. 4 Ai burrë më tha: «Bir i njeriut, shiko me sy e dëgjo me veshë dhe vëri mendjen asaj që po të shfaq, se të kanë sjellë këtu për këtë ndodhi. Gjithçka që do të shohësh tregoja shtëpisë së Izraelit».
Muri lindor
5 Dhe, ja, përjashta tempullit kishte një mur rrethues. Gjatësia e kallamit në dorën e njeriut ishte gjashtë kute, një kut e një pëllëmbë. Ai mati trashësinë e murit. Ajo ishte një kallam dhe lartësia një kallam.
6 Pastaj shkoi te porta me pamje nga lindja. Ngjiti shkallët dhe mati pragun e portës. Ishte një kallam i gjerë. 7 Secila dhomë ishte një kallam e gjatë e një kallam e gjerë. Hapësira ndërmjet dhomave ishte pesë kute. Edhe pragu i portës ndanë portikut të asaj porte nga ana e brendshme ishte një kallam. 8 Pastaj ai mati portikun e portës nga brenda. Ishte një kallam. 9 Pastaj mati portikun e portës. Ishte tetë kute. Shtyllat ishin dy kute. Portiku i portës ishte i brendshëm. 10 Në secilën anë të portës kishte nga tri dhoma. Të tria kishin të njëjtën masë. Edhe shtyllat në secilën anë kishin të njëjtën masë. 11 Ai mati edhe gjerësinë e portës hyrëse. Ishte dhjetë kute. Gjatësia e portës ishte trembëdhjetë kute. 12 Para dhomave kishte ndarëse. Ndarësja ishte një kut në secilën anë. Dhomat anësore ishin nga gjashtë kute, nga secila anë. 13 Pastaj mati portën nga kubeja e njërës dhomë anësore te kubeja e tjetrës. Gjerësia ishte njëzet e pesë kute. Hyrjet ishin kundruall njëra-tjetrës. 14 Mati edhe portikun, gjashtëdhjetë kute. Përreth portikut të portës gjendej tremja. 15 Nga ana e përparme e portës hyrëse tek ana e përparme e portikut të portës së brendshme ishin pesëdhjetë kute. 16 Dhomat dhe shtyllat kishin dritare të mbrojtura nga brenda përreth portës. Kishte dritare edhe rreth portikut, nga ana e brendshme. Te shtyllat kishte palma.
Tremja e jashtme
17 Pastaj më çoi te tremja e jashtme dhe, ja, kishte disa dhoma dhe një shtrojë përreth tremes. Ishin tridhjetë dhoma përgjatë shtrojës. 18 Shtroja shtrihej anës së portave, në përkim me gjatësinë e portave. Kjo ishte shtroja e poshtme. 19 Ai mati hapësirën nga faqja e portës së poshtme te faqja e portës së brendshme. Njëqind kute nga lindja e nga veriu.
Porta e veriut
20 Pastaj mati gjatësinë dhe gjerësinë e portës kundruall veriut, drejt tremes së jashtme. 21 Dhomat e saj, tri nga njëra anë e tri nga tjetra, shtyllat dhe portiku kishin përmasat e portës së parë: pesëdhjetë kute të gjata e njëzet e pesë të gjera. 22 Dritaret, portikun dhe palmat i kishte me përmasat e portës me pamje nga lindja. Për atje duheshin ngjitur shtatë shkallë. Kundruall ishte portiku. 23 Drejt tremes së brendshme, kundruall portës veriore dhe asaj lindore, gjendej nga një portë. Ai mati largësinë nga njëra portë te tjetra. Ishin njëqind kute.
Porta jugore
24 Pastaj më priu drejt jugut dhe, ja, kishte një portë drejt jugut. Ai mati shtyllat dhe portikun. Kishin të njëjtat përmasa. 25 Porta dhe portiku kishin dritare përreth, të ngjashme me dritaret e tjera: pesëdhjetë kute të gjata dhe njëzet e pesë të gjera. 26 Shtatë shkallë të çonin tek ajo dhe kundruall kishin portikun. Te shtyllat kishte palma nga njëra anë, edhe nga ana tjetër. 27 Tremja e brendshme kishte një portë nga lindja. Ai mati largësinë nga njëra derë te tjetra në drejtim të jugut. Ishin njëqind kute.
Tremja e brendshme
28 Pastaj më çoi në tremen e brendshme, përmes portës jugore, dhe mati portën jugore. Kishte të njëjtat përmasa si të tjerat. 29 Dhomat, shtyllat dhe portiku kishin të njëjtën përmasë si të tjerat dhe kishin dritare përreth. Gjatësia ishte pesëdhjetë kute dhe gjerësia njëzet e pesë kute. 30 Përreth kishte portikë njëzet e pesë kute të gjatë e pesë kute të gjerë. 31 Portiku i tij ishte kundruall tremes së jashtme. Te shtyllat kishte palma, ndërsa shkallët kishin tetë shkallare.
32 Pastaj më çoi te tremja e brendshme, në drejtim të lindjes, dhe mati portën. Kishte të njëjtat përmasa. 33 Dhomat, shtyllat dhe portiku kishin të njëjtat përmasa si të tjerat. Porta dhe portiku i saj kishin dritare përreth, pesëdhjetë kute të gjata e njëzet e pesë kute të gjera. 34 Portiku i tij ishte me pamje drejt tremes së jashtme. Te shtyllat kishte palma nga secila anë. Atje të çonin tetë shkallare.
35 Pastaj më çoi te porta veriore dhe e mati. Kishte të njëjtat përmasa si të tjerat. 36 Dhomat, shtyllat, portikun, me dritaret përreth, kishin të njëjtën përmasë si të tjerat, me gjatësi pesëdhjetë kute e më gjerësi njëzet e pesë kute. 37 Portiku ishte me pamje drejt tremes së jashtme. Te shtyllat kishte palma nga secila anë. Atje të çonin tetë shkallare.
38 Kishte edhe një dhomë me hyrje më vete pranë shtyllave të portave. Aty laheshin flitë e shkrumbimit. 39 Në portikun e portës kishte dy tryeza nga njëra anë e dy nga ana tjetër. Mbi to therej flija e shkrumbimit, flitë për mëkatin dhe flitë për fajin. 40 Dy tryeza të tjera ishin në anën e jashtme, duke u ngjitur drejt hyrjes së portës së veriut. Edhe nga ana tjetër e portikut gjendeshin dy tryeza. 41 Nga secila anë e portës gjendeshin katër tryeza. Të tetë tryezat për të kryer therjet. 42 Kishte edhe katër tryeza prej guri për flitë e shkrumbimit, një kut e gjysmë të gjata, një kut e gjysmë të gjera dhe një kut të larta. Mbi to ishin vënë veglat me të cilat thereshin flitë e shkrumbimit dhe flitë e tjera. 43 Përreth, përbrenda ishin vendosur çengela një pëllëmbësh. Mbi tryezë gjendej mishi i kushtuar.
Dhomat e priftërinjve
44 Jashtë portës së brendshme, në tremen e brendshme, kishte dy dhoma. Njëra, pranë portës veriore, ishte me pamje nga jugu. Tjetra, pranë portës jugore, ishte me pamje nga veriu. 45 Ai më tha: «Dhoma me pamje nga jugu është për priftërinjtë që kujdesen për tempullin 46 dhe dhoma me pamje nga veriu është për priftërinjtë që kujdesen për altarin. Ata janë bijtë e Cadokut, prej bijve të Levit, që i afrohen altarit të Zotit për t’i shërbyer».
47 Ai e mati tremen dhe ishte katrore, njëqind kute e gjatë dhe njëqind kute e gjerë. Altari ishte kundruall tempullit.
Portiku i tempullit
48 Pastaj më çoi te portiku i tempullit dhe mati shtyllat e portikut, nga pesë kute në secilën anë. Gjerësia e portave ishte katërmbëdhjetë kute. Muret anësore të portës ishin tre kute nga secila anë. 49 Gjatësia e portikut ishte njëzet kute dhe gjerësia dymbëdhjetë kute. Atje të çonin dhjetë shkallare. Pranë shtyllave kishte mbajtëse nga njëra anë e nga tjetra.