Kundër maleve të Seirit
1 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 2 «Bir i njeriut, sillu me fytyrë kundër malit të Seirit dhe profetizo kundër tij. 3 Thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë jam kundër teje, o mali Seir. Do ta ngre dorën kundër teje dhe do të të kthej në shkretim e djerrinë. 4 Do t’i rrënoj qytetet e tua dhe ti do të bëhesh shkretim. Atëherë do ta marrësh vesh se unë jam Zoti. 5 Meqë ti mbajte armiqësi të përhershme dhe ia dorëzove popullin e Izraelit pushtetit të shpatës në kohën e fatkeqësisë së tyre, kur fajësia e tyre kishte prekur fundin, 6 për këtë, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, do të të ndëshkoj me gjak dhe gjaku do të të ndjekë. Meqë nuk u ngope me gjak, gjaku do të të ndjekë. 7 Do ta kthej malin Seir në shkretim e në djerrinë e do t’i zhduk prej tij ata që shkojnë e vijnë. 8 Do t’i mbush malet e tyre me të therur. Të therurit nga shpata do të bien nëpër malet e tua, nëpër luginat e nëpër shpatet e tua. 9 Do të të kthej në shkretim të përhershëm dhe qytetet e tua do të mbeten pa banorë. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti.
10 Meqë ti the: “Këto dy kombe e këto dy vende do të jenë të miat e do t’i marrim për pronë”, edhe pse atje është Zoti, 11 për këtë, pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, do të veproj siç i takon zemërimit e smirës që patët për shkak të urrejtjes kundër tyre. Ata do të më njohin mua pasi të të kem gjykuar ty. 12 Edhe ti do ta marrësh vesh se unë jam Zoti. I kam dëgjuar të gjitha sharjet që ke shprehur kundër maleve të Izraelit, duke thënë: janë shkretuar krejt, na i kanë dhënë për ushqim. 13 U krekosët kundër meje me gojën tuaj dhe i shumuat fjalët kundër meje. Unë i dëgjova. 14 Kështu thotë Zoti im, Zoti: siç ngazëllen mbarë dheu, ashtu do të të shkretoj ty. 15 Siç ngazëlleve ti për trashëgiminë e shtëpisë së Izraelit, pse u shkretua, ashtu do të veproj me ty. Ti do të shkretohesh, o mali Seir. Edhe mbarë Edomi. I tëri! E do ta marrin vesh se unë jam Zoti».