Vajtim për Tirin
1 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 2 «Ti, bir i njeriut, nise vajtimin për Tirin 3 e thuaji Tirit, që gjendet ndanë detit, që shkëmben me popujt e ishujve të shumtë, se kështu thotë Zoti im, Zoti:
ti thoshe, o Tir:
“Bukuria ime është e përkryer”.
4 Në mes të detit janë kufijtë e tu,
ndërtuesit e tu ta përsosën bukurinë.
5 Brinjët t’i ndërtuan të gjitha me qarr Seniri,
morën cedër Libani për të të bërë direkun.
6 Me lisa Bashani t’i bënë rremat,
kuvertën ta bënë me fildish
ndërthurur me qiparis Kitimi.
7 Endur me li larushor Egjipti
ishte mbuloja jote,
që ta përdorje si emblemë.
Blu me purpur nga ishujt e Elishahut
ishte bashi yt.
8 Banorët e Sidonit dhe të Arvadit
ishin rremtarët e tu,
mjeshtrat e tu, o Tir,
ishin lundërtarët e tu.
9 Pleqtë e Gebalit e mjeshtrat e tij gjendeshin te ti
për të ndrequr plasaritjet.
Të gjitha anijet e detit bashkë me detarët ndaleshin te ti
për të shkëmbyer mallra me ty.
10 Persia, Ludi e Puti ishin luftëtarë në ushtrinë tënde. Të vinin shqytin e përkrenaren e të jepnin hijeshi. 11 Bijtë e Arvadit dhe ushtria e tyre ishin rreth mureve të tua. Gamaditët gjendeshin te kullat e tua. I varnin shqytet rreth mureve të tua. E përsosnin bukurinë tënde.
12 Tarshishi shkëmbente me ty tërë begatinë e pasurisë sate: argjend, hekur, kallaj e plumb këmbenin me mallrat e tua. 13 Javani, Tubali e Mesheku shkëmbenin me ty. Njerëz dhe enë bronzi këmbenin me mallrat e tua. 14 Nga Bet Togarmahu këmbenin kuaj, kalorës e mushka me mallrat e tua. 15 Bijtë e Dedanit shkëmbenin me ty. Kishe në dorë mallin e shumë ishujve. Të sillnin si shpërblim brirë të fildishtë dhe eban. 16 Arami shkëmbente me ty falë begatisë së prodhimeve të tua dhe i këmbente mallrat e tua me granat, purpur, qëndisma, li, korale e rubin. 17 Juda dhe toka e Izraelit shkëmbente me ty. I këmbenin mallrat e tua me drithë Miniti, me ëmbëlsira, me mjaltë, me vaj e balsam. 18 Damasku shkëmbente me ty, me begatinë e prodhimeve të tua, me begatinë e tërë mirëqenies sate, me verën e Helbonit dhe leshin e Caharit. 19 Vedani e Javani nga Uzali shkëmbenin mallrat e tua: hekur i farkëtuar, kanellë e kallam ishin mallrat e tua. 20 Dedani këmbente me ty beze për shalë kali. 21 Arabia dhe të gjithë princat e Kedarit shkëmbenin me ty. Me qengja, desh e cjep bënin trambë. 22 Tregtarët e Shebës e të Ramahut shkëmbenin me ty. I shkëmbenin mallrat e tua me tërë erëzat më të mira, me tërë gurët e çmuar dhe me ar. 23 Harani, Kanehu dhe Edeni, tregtarët e Shebës, të Ashurit e Kilmadit shkëmbenin me ty. 24 Ata shkëmbenin me ty, në tregjet e tua, petkat e hijshme, coha të purpurta e qëndisma, tapete larushore, litarë të dredhur e të fortë. 25 Anijet e Tarshishit udhëtonin për ty me mallrat e tua dhe ti ishe e ngopur dhe fort e rënduar në zemrën e detit.
26 Në det të hapur të çuan rremtarët,
por në zemrën e detit të theu era e lindjes.
27 Pasuria jote, mallrat e tua dhe kamja jote,
detarët dhe drejtuesit e tu,
ndreqësit e plasaritjeve të tua,
këmbyesit e mallrave të tua,
tërë luftëtarët që janë në ty
dhe tërë turma që është në mesin tënd,
do të bien në zemrën e detit
në ditën e rrëzimit tënd.
28 Nga tingulli i britmës së drejtuesve të tu
do të tranden lëndinat.
29 Do të zbresin rremtarët nga anijet,
detarët dhe të gjithë drejtuesit
në tokë do të mbesin.
30 Do të bërtasin me zë për ty,
do ta lartësojnë britmën e tyre të hidhur.
Do të hedhin pluhur mbi kokë
e në pluhur do të rrokullisen.
31 Për shkakun tënd do ta rruajnë kokën
e do të vishen me grathore.
Do të vajtojnë për ty me shpirt të hidhëruar,
me gjëmë të hidhur.
32 Me gjëmë do të ngrenë mbi ty vajtimin
e do të vajtojnë mbi ty:
kush ishte si Tiri,
rrënuar në mes të detit?
33 Kur vinin mallrat e tua nga detet,
kënaqje shumë popuj.
Me begatinë e pasurive e me mallrat e tua
i pasuroje mbretërit e tokës.
34 Tani je thyer prej detit
në thellësitë e ujit.
Mallrat e tua u fundosën
tok me detarët e tu.
35 Tërë banorët e ishujve
janë të tmerruar prej teje.
Mbretërit e tyre dridhen e përdridhen,
fytyrat u janë zbehur.
36 Tregtarët e popujve fërshëllejnë për ty,
u bëre i frikshëm.
Kurrë më nuk do të jesh».