Rrethimi i Jerusalemit
1 Në vitin e nëntë, në muajin e dhjetë, në ditën e dhjetë të muajit, fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 2 «Bir i njeriut, shkruaje emrin e ditës, pikërisht të kësaj dite. Mbreti i Babilonisë i është sulur Jerusalemit në këtë ditë. 3 Tregoji një shëmbëlltyrë fisit kryeneç e thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti:
vëre kusinë, vëre!
Hidhja edhe ujin!
4 Qitja copat e mishit,
të gjitha copat e mira,
kofshën dhe shpatullën,
mbushe me kockat e përzgjedhura,
5 merr ajkën e grigjës,
vër edhe pirgun e urëve nën të,
vloje me valë,
që edhe kockat brenda saj të ziejnë.
6 Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë qyteti gjakatar, kusi e ndryshkur që nuk i ka dalë ndryshku. Nxirr prej andej një copë pas tjetrës, pa hedhur short në të! 7 Se ai derdhi gjak në mesin e vet, e zbrazi mbi shkëmbin e zhveshur, nuk e derdhi përtokë, për ta mbuluar me pluhur. 8 Për ta shfryrë zemërimin, për të marrë hak, e vura gjakun e tij mbi shkëmbin e zhveshur, që të mos mbulohet. 9 Prandaj, kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë qyteti gjakatar! Edhe unë do ta ngre pirgun e madh. 10 Shumoi drutë, ndize zjarrin, zieje mishin krejt, përzieji erëzat e le të digjen kockat. 11 Vëre të zbrazur mbi prush, që të nxehet, t’i skuqet bakri, të shkrihet papastërtia në mesin e saj e t’i soset ndryshku. 12 E lodhën mundimet, por nuk i del me zjarr ndryshku i saj i madh. 13 Unë do të të pastroja, por ti nuk u pastrove nga papastërtitë e tua, prandaj për shkak të papastërtisë sate të shthurur, nuk do të pastrohesh më deri kur të reshtë zemërimi im ndaj teje. 14 Unë, Zoti, fola. Do të veproj e nuk do të ndalem. Nuk do të kem dhembshuri e nuk do të kem mëshirë. Do të të gjykoj sipas sjelljeve të tua dhe sipas bëmave të tua, kumton Zoti im, Zoti».
Vdekja e gruas së Ezekielit
15 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 16 «Bir i njeriut, ja, po ta heq befas dëshirimin e syve, por mos u anko, mos qaj e mos derdh lot. 17 Psherëti në heshtje e mos mbaj zi për të vdekurit. Lidhe kësulën e mbathi sandalet në këmbë. Mos u mbulo gjer mbi buzë e mos e ha bukën e njerëzve». 18 Në mëngjes i fola popullit dhe në mbrëmje më vdiq gruaja. Të nesërmen në mëngjes veprova siç më ishte urdhëruar. 19 Populli më pyeti: «A s’do të na e tregosh kuptimin e këtyre që po bën?». 20 Unë u përgjigja: «Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 21 thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, po e përdhos shenjtëroren time, krenarinë e fuqisë suaj, dëshirimin e syve tuaj dhe dashurinë e shpirtit tuaj. Bijtë e bijat tuaja, që i latë atje, do të bien prej shpatës. 22 Ju do të bëni siç bëra unë. Nuk do të mbuloheni gjer mbi buzë dhe nuk do ta hani bukën e njerëzve. 23 Do t’i mbani kësulat në kokë dhe sandalet në këmbë. Nuk do të vajtoni, por as do të qani. Do të breheni nga fajet tuaja e do të shfryni kundër njëri-tjetrit. 24 Ezekieli do të jetë shenjë për ju. Kur të ndodhin këto, ju do të veproni si ai dhe do të merrni vesh se unë jam Zoti. 25 Ti, bir i njeriut, në ditën kur do t’ua heq atyre fortesën, gëzimin dhe hijeshinë e tyre, dëshirimin e syve të tyre, lehtësinë e shpirtit të tyre, bijtë dhe bijat e tyre, 26 atë ditë do të vijë te ti një ikanak, për të të njoftuar. 27 Atë ditë do të të hapet goja, për të folur me ikanakun. Do të flasësh e nuk do të jesh më i pagojë. Do të jesh shenjë për ta dhe ata do ta marrin vesh se unë jam Zoti».