Zoti flet me shëmbëlltyra
1 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 2 «Bir i njeriut, thuaj një gjëegjëzë dhe tregoi një shëmbëlltyrë shtëpisë së Izraelit. 3 Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: një shqiponjë e madhe me krahë të mëdhenj e me pendë të gjata, plot pupla të larmishme, erdhi në Liban dhe mori majën e cedrit. 4 Këputi majën e filizave, e çoi në një vend tregtie dhe e vendosi në një vend tregtarësh. 5 Mori farën e asaj toke dhe e hodhi në një arë të mbjellash. Në një lëndinë, ndanë ujërave të shumtë e mbolli 6 dhe ajo buloi e u bë hardhi e shtrirë, me trung të ulët, me degët drejt saj e me rrënjët poshtë saj. U bë hardhi, qiti shermende e lëshoi degë.
7 Qe edhe një shqiponjë e madhe, me krahë të mëdhenj e me shumë pupla. Dhe, ja, prej zagnave, ajo hardhi i ktheu rrënjët drejt shqiponjës, i priri degët drejt saj, që ta ujiste. 8 Në tokë të mirë, ndanë ujërave të shumta qe mbjellë, që të nxirrte shermende, të jepte fryt e të bëhej hardhi madhështore.
9 Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: a do t’i ecë mbarë? A do të rrijë ajo pa ia nxjerrë rrënjët e pa ia këputur frytet, që t’i thahen bulëzat e njoma? Nuk duhet ndonjë krah i fuqishëm as ndonjë popull i madh për ta shkulur me rrënjë. 10 Ja, u mboll, por a do t’i ecë mbarë? A nuk do të thahet sapo ta zërë era e lindjes? Në zagnën ku çeli do të thahet».
11 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 12 «Thuaji shtëpisë kryeneçe: a nuk e dini çfarë do të thotë kjo? Thuaj: ja, mbreti i Babilonisë erdhi në Jerusalem, mori mbretin e prijësit e tij dhe i çoi në Babiloni. 13 Mori një pinjoll mbretëror, bëri besëlidhje me të dhe e vuri në be. Mori udhëheqësit e vendit, 14 që të poshtërohet mbretëria e të mos ngrihet, e megjithatë ta mbante më këmbë besëlidhjen me të. 15 Por ai ngriti krye kundër tij e i dërgoi lajmëtarë në Egjipt, që t’i jepeshin kuaj e një ushtri e madhe. A do t’i ecë mbarë? A mund të shpëtojë ai që veproi kështu? A mund ta thyejë besëlidhjen e të shpëtojë?
16 Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, ai do të vdesë në Babiloni, në vendin e mbretit që e vuri atë mbret, të cilit ia përçmoi betimin e ia theu besëlidhjen. 17 As faraoni, me ushtrinë e tij të madhe e me tubimin e shumtë, nuk do t’i ndihë në betejë, kur të ngrejë stome e të vërë ledhe për të shuar shumë jetë. 18 Ai përbuzi betimin dhe theu besëlidhjen. Ja, i dha dorën e pastaj bëri të gjitha këto. Nuk do të shpëtojë.
19 Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: pasha jetën time do t’ia hedh kokës betimin tim që ai e përçmoi dhe besëlidhjen time që ai e theu. 20 Do të hedh rrjetën time kundër tij e ai do të bjerë në kurthin tim. Do ta çoj në Babiloni dhe atje do ta gjykoj për tradhtinë që kreu kundër meje. 21 Të gjithë të zgjedhurit e aradheve të tij do të bien prej shpatës dhe të mbeturit do të shpërndahen në të katër erërat. Kështu do ta merrni vesh se unë, Zoti, kam folur.
22 Kështu thotë Zoti im, Zoti: unë vetë do t’ia këpus majën cedrit të lartë e do ta ngul. Prej majës do të këpus një filiz të njomë e do ta mbjell unë vetë mbi një mal të lartë e të spikatur. 23 Mbi malin e lartë të Izraelit do ta mbjell e ai do të qesë degë, do të japë fryt dhe do të bëhet cedër madhështor. Nën të do të banojnë të gjithë zogjtë, çdo shpend do ta vërë folenë nën hijen e degëve të tij. 24 E do ta marrin vesh të gjitha pemët e pyllit se unë jam Zoti, që e ul pemën e lartë dhe e lartësoj pemën e ulët, e thaj pemën e njomë dhe e bëj të çelë pemën e tharë. Unë, Zoti, fola e do të veproj».