Kundër profetëve të rremë
1 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 2 «Bir i njeriut, profetizo kundër profetëve të Izraelit. Profetizo e thuaju atyre që profetizojnë si t’u dojë zemra, ta dëgjojnë fjalën e Zotit. 3 Kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë profetët e marrë që shkojnë pas shpirtit të vet pa parë asgjë. 4 Si dhelprat mes rrënojave janë profetët e tu, o Izrael. 5 Ju nuk jeni ngjitur te të çarat e nuk keni muruar asnjë mur për shtëpinë e Izraelit, që të qëndronte në betejë, në ditën e Zotit. 6 Kanë parë kotësinë dhe parashikimin e rremë ata që thonë: “Kumton Zoti” e Zoti nuk i ka dërguar, por presin t’ua vërtetojë fjalën. 7 A nuk keni parë një vegim të kotë dhe një parashikim të rremë, ju që thoni: “Kumton Zoti”, kur unë nuk kam folur? 8 Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: meqë keni shpallur mashtrime dhe keni parë vegime të rreme, atëherë ja ku më keni kundër jush, kumton Zoti im, Zoti. 9 Dora ime do të jetë kundër profetëve që kanë vegime të kota e parashikime të rreme. Ata nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e popullit tim, nuk do të shkruhen në librin e bijve të Izraelit e nuk do të hyjnë në tokën e Izraelit. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti juaj, Zoti. 10 Meqë e mashtrojnë popullin tim, duke thënë: “Paqe!”, por paqe nuk ka dhe kur populli e ndërtoi murin ata vetëm e lyen me gëlqere, 11 thuaju atyre që e lyejnë me gëlqere se do të shembet. Do të bjerë shi rrëmbyes, do të bjerë breshër gurësh e do të shpërthejë një erë e stuhishme. 12 Dhe, ja, kur të bjerë muri, a nuk do t’ju pyesin: “Ku është suvaja me të cilën e kishit suvatuar?”. 13 Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: do të shpërthej një erë të stuhishme për shkak të zemërimit tim, një shi rrëmbyes për shkak të tërbimit tim dhe, për shkak të mërisë, do të bjerë breshër gurësh e do të sjellë rrënimin e plotë. 14 Do ta shemb murin, që keni mbuluar me gëlqere, do ta rrëzoj përdhe e do t’i dalin themelet. Ai do të shembet, ju do të merrni fund në mes të tij e do ta merrni vesh se unë jam Zoti. 15 Do ta shteroj mërinë time kundër murit dhe kundër atyre që e kanë suvatuar. Atëherë do t’ju them se nuk ka as mur, as suvatues, 16 as profetë të Izraelit që profetizonin për Jerusalemin dhe shihnin për të një vegim paqeje, kur nuk ka paqe, kumton Zoti im, Zoti.
17 Dhe ti, bir i njeriut, drejtoju bijave të popullit tënd që profetizojnë sipas mendjes së vet dhe profetizo kundër tyre. 18 Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë ato që lidhin rrathë në çdo kyç duarsh e bëjnë shami për koka të çdo mase, për të gjuajtur shpirtrat e njerëzve. Mos vallë do të gjuani shpirtrat e popullit tim e do të shpëtoni shpirtrat tuaj? 19 Ju më keni përdhosur para popullit tim për një grusht elb e për ndonjë copë bukë, duke vrarë njerëzit që nuk duheshin vrarë dhe duke mbajtur gjallë njerëzit që nuk duheshin mbajtur gjallë, duke e mashtruar popullin tim që e dëgjon gënjeshtrën. 20 Prandaj, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja ku më keni kundër rrathëve tuaj, me të cilët gjuani shpirtrat porsi zogjtë. Do t’jua shqyej nga krahët e do t’i shpëtoj shpirtrat që ju gjuani porsi zogjtë. 21 Do t’jua shqyej shamitë e do ta çliroj popullin tim nga duart tuaja. Ai nuk do të jetë më pre e duarve tuaja, prandaj do ta merrni vesh se unë jam Zoti. 22 Se ju e keni tulatur me mashtrim zemrën e drejtë, por unë nuk e kisha tulatur, dhe ia keni forcuar krahët të ligut, që të mos hiqte dorë nga ligësia e vet e të jetonte. 23 Prandaj nuk do të shihni më vegime të rreme e nuk do të bëni më parashikime. Unë do ta çliroj popullin tim nga duart tuaja e ju do ta merrni vesh se unë jam Zoti».