Robëria e Judës
1 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 2 «Bir i njeriut, ti banon në mes të një fisi kryeneç që kanë sy për të parë, e nuk shohin, kanë veshë për të dëgjuar, e nuk dëgjojnë, sepse janë fis kryeneç. 3 Ti, bir i njeriut, bëj një trastë mërgimtari për vete dhe mërgo ditën para syve të tyre. Mërgo nga një vend në një vend tjetër para syve të tyre. Ndoshta do të marrin vesh, ndonëse janë fis kryeneç. 4 Nxirre trastën tënde, trastën e mërgimtarit, ditën para syve të tyre, por ti nisu në mbrëmje para syve të tyre, siç nisen mërgimtarët. 5 Hap një vrimë në mur para syve të tyre e dil përmes saj. 6 Para syve të tyre ngarkoi supet e dil në errësirë. Mbuloje fytyrën, për të mos e parë tokën, se të kam caktuar si shenjë për shtëpinë e Izraelit».
7 Unë bëra siç m’u urdhërua. Trastën e nxora si trastë mërgimtari ditën dhe në mbrëmje hapa një vrimë në mur me duar. Pastaj dola duke e mbartur mbi supe para syve të tyre.
8 Në mëngjes m’u drejtua fjala e Zotit e më tha: 9 «Bir i njeriut, a nuk të ka pyetur shtëpia e Izraelit, ai fis kryeneç, se çfarë je duke bërë? 10 Ti përgjigju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ky kumt është për prijësin e Jerusalemit dhe për mbarë shtëpinë e Izraelit që banon mes tij. 11 Do të thuash: “Unë jam shenjë për ju. Siç bëra unë, ashtu do t’u bëhet atyre. Do të shkojnë në mërgim e në robëri”. 12 Prijësi që është mes tyre do të ngarkojë supet në muzg e do të dalë. Do të shpojnë murin, për ta nxjerrë përmes tij. Do të mbulojë fytyrën, për të mos e parë tokën me sy. 13 Do të shtrij mbi të rrjetën time e do të bjerë në kurthin tim. Do ta çoj në Babiloni, në dheun e kaldenjve, por nuk do ta shohë dhe atje do të vdesë. 14 Do t’i shpërndaj në të katër erërat të gjithë ata që e rrethojnë, ndihmësit dhe mbarë truprojën. Shpatën do të zhvesh kundër tyre. 15 Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, pasi t’i kem shpërndarë ndër kombe e përhapur nëpër vende. 16 Por disa prej tyre do t’i lë të shpëtojnë nga shpata, nga zia e bukës e nga murtaja, që t’ua tregojnë të gjitha pështirësitë e tyre kombeve te të cilat do të shkojnë. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti».
17 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 18 «Bir i njeriut, ha bukë duke u dridhur dhe pi ujë i tronditur e me ankth. 19 Pastaj thuaji popullit të vendit se kështu thotë Zoti im, Zoti, për banorët e Jerusalemit, në tokën e Izraelit: do të hanë bukë me ankth e do të pinë ujë me tmerr, se toka e tyre do të shkretohet e do të mbesë pa begati, për shkak të dhunës së të gjithë banorëve të saj. 20 Qytetet e banuara do të shkretohen dhe toka do të kthehet në shkretëtirë. Atëherë do ta merrni vesh se unë jam Zoti».
21 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 22 «Bir i njeriut, çfarë është kjo fjalë e urtë e juaja në mbarë dheun e Izraelit, që thotë: “Ditët zgjatojnë e vegimet firojnë”? 23 Prandaj, thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: “Do t’i jap fund kësaj fjale të urtë e nuk do ta tregojnë më në Izrael si fjalë të urtë”. Por thuaju edhe se po afrohen ditët dhe çdo vegim do të ndodhë, 24 se nuk do të ketë më asnjë vegim të kotë e asnjë parashikim miklues në shtëpinë e Izraelit, 25 se unë jam Zoti. Do të them çfarë do të them e ajo gjë do të ndodhë. Nuk do ta shtyj më, por në kohën tuaj, o fis kryeneç, do ta them fjalën e do ta zbatoj, kumton Zoti im, Zoti».
26 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: 27 «Bir i njeriut, ja, ata të shtëpisë së Izraelit thonë: “Vegimi që ai sheh është për pas shumë ditësh dhe për pas shumë kohësh profetizon”. 28 Prandaj thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: “Asnjë prej fjalëve të mia nuk do të shtyhet më, por fjala që do të flas, do të zbatohet, kumton Zoti im, Zoti”».