Kundër këshilltarëve të paudhë
1 Një shpirt më ngriti dhe më çoi te porta lindore e tempullit të Zotit, me pamje nga lindja. Dhe, ja, te hyrja e portës ishin njëzet e pesë burra. Mes tyre pashë Jazanjahun, birin e Azurit, dhe Pelatiahun, birin e Benajahut, prijësit e popullit. 2 Pastaj më tha: «Bir i njeriut, këta janë burrat që kurdisin ligësinë dhe këshilltarët e këshillit të lig në këtë qytet. 3 Ata thonë: “Shtëpitë nuk ndërtohen së shpejti. Qyteti është vorba e ne jemi mishi”. 4 Prandaj, profetizo kundër tyre, profetizo, bir i njeriut!». 5 Shpirti i Zotit zbriti mbi mua e më tha: «Thuaj se kështu thotë Zoti: ashtu folët, o shtëpia e Izraelit, por unë i njoh mendimet e shpirtit tuaj. 6 Ju i shumuat të therurit në këtë qytet dhe i mbushët rrugët me të therur. 7 Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: të therurit që i keni hedhur në mes të tij, janë mishi e ky qytet është vorba, por ju do të nxirreni prej tij. 8 Shpatën e keni frikë, por, mbi ju, shpatën do të çoj, kumton Zoti im, Zoti. 9 Do t’ju nxjerr jashtë tij, do t’ju lë në dorë të të huajve e do t’ju bëj gjyq. 10 Prej shpatës do të bini. Do t’ju gjykoj në kufi me Izraelin e do ta merrni vesh se unë jam Zoti. 11 Qyteti nuk do të jetë për ju vorba e ju nuk do të jeni mishi mes tij. Do t’ju gjykoj në kufijtë e Izraelit 12 dhe do ta merrni vesh se unë jam Zoti, sipas rregullave të të cilit ju nuk u sollët e nuk i zbatuat vendimet e mia, por vepruat sipas vendimeve të kombeve». 13 Por, ja, ndërsa unë po profetizoja, vdiq Pelatiahu, biri i Benajahut. Atëherë rashë me fytyrë përtokë, thirra me zë të lartë e thashë: «Ah, Zoti im, Zot, a do ta shuash krejt tepricën e Izraelit?». 14 Atëherë m’u drejtua fjala e Zotit e më tha: 15 «Bir i njeriut, banorët e Jerusalemit u thonë vëllezërve të tu, fisit tënd, të shpërngulurve të tu e mbarë shtëpisë së Izraelit: “Largohuni prej Zotit. Kjo tokë na është dhënë në pronësi neve”. 16 Por ti thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ndonëse i kam larguar ndër kombe, ndonëse i kam shpërndarë nëpër vende, unë kam qenë për ta shenjtërore për pak kohë, në vendet ku kanë shkuar. 17 Prandaj thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: do t’ju mbledh prej popujve, prej vendeve ku jeni shpërndarë, e do t’ju jap tokën e Izraelit. 18 Ata do të hyjnë e do t’i zhdukin prej tij të gjithë idhujt dhe pështirësitë. 19 Atëherë unë do t’u jap një zemër të re e një shpirt të ri do të fus brenda tyre. Do t’ua heq nga mishi zemrën prej guri e do t’u jap një zemër mishi, 20 që të ecin sipas rregullave të mia, të mbajnë vendimet e mia e t’i zbatojnë. Atëherë ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre. 21 Por ata që shkojnë me gjithë zemër pas fëlliqësive dhe pështirësive të tyre, do ta paguajnë me kokë sjelljen e vet, kumton Zoti im, Zoti». 22 Atëherë kerubët ngritën krahët e rrotat që ishin pranë tyre, ndërsa lavdia e Perëndisë së Izraelit ishte mbi ta, sipër tyre. 23 Pastaj lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit e u ndal mbi malin në lindje të qytetit. 24 Dhe një shpirt më ngriti e më çoi në Kalde te të shpërngulurit, në një vegim me anë të Shpirtit të Perëndisë, pasi m’u largua vegimi që kisha parë. 25 Unë ua tregova të shpërngulurve të gjitha gjërat që Zoti më kishte shfaqur.