Nderi i Mordakait
1 Atë natë mbretin nuk e zuri gjumi, prandaj kërkoi t’i sillnin librin e Kujtimeve, Kronikat, që u lexuan para mbretit. 2 U gjet e shkruar se Mordakai kishte kallëzuar Bigtanain e Tereshin, eunukët e mbretit, dy roja të pragut, që ishin përpjekur të vinin dorë mbi mbretin Kserks. 3 Atëherë mbreti pyeti: «Çfarë nderimi e lartësimi i është dhënë Mordakait për këtë?». Shërbëtorët që i shërbenin mbretit, thanë: «Asgjë nuk është bërë për të».
4 Mbreti pyeti: «Kush është në oborr?». Hamani kishte ardhur në oborrin e jashtëm të pallatit mbretëror, për t’i kërkuar mbretit ta varte Mordakain në shtyllën që kishte ngulur për të. 5 Shërbëtorët i thanë mbretit: «Ja, në oborr është Hamani». Mbreti tha: «Le të hyjë». 6 Hamani hyri dhe mbreti e pyeti: «Çfarë duhet bërë për një njeri, të cilin mbreti dëshiron ta nderojë?». Hamani mendoi me vete: «Kë vallë dëshiron të nderojë mbreti më shumë se mua?». 7 Atëherë Hamani iu përgjigj mbretit: «Për njeriun që mbreti dëshiron ta nderojë, 8 le të sillen petkat mbretërore që vesh mbreti, kali që kalëron mbreti e le t’i vihet në kokë kurora mbretërore. 9 Petkat dhe kali t’i dorëzohen njërit prej princave fisnikë të mbretit, ta veshin njeriun që mbreti dëshiron të nderojë, ta çojnë të kalërojë sheshit të qytetit e të thërrasin para tij: “Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshiron ta nderojë”». 10 Mbreti i tha Hamanit: «Shpejto, merr petkat dhe kalin, siç the vetë, e vepro kështu me Mordakain, judeun që rri ulur te porta e mbretit. Mos lër asgjë pa bërë nga ato që the». 11 Hamani mori petkat dhe kalin, veshi Mordakain, e çoi të kalëronte sheshit të qytetit dhe thirri para tij: «Kështu veprohet me njeriun që mbreti dëshiron ta nderojë». 12 Pastaj Mordakai u kthye te porta e mbretit, ndërsa Hamani nxitoi për në shtëpi i pikëlluar e me kokën mbuluar.
13 Hamani i tregoi gruas së vet, Zereshës, dhe të gjithë miqve gjithçka i kishte ndodhur. Këshilltarët e tij dhe gruaja e vet, Zeresha, i thanë: «Nëse Mordakai, kundrejt të cilit fillove të gremisesh, është prej fisit të judenjve, ti nuk do ta mundësh dot, se do të gremisesh para tij». 14 Ata ishin ende duke folur, kur erdhën eunukët e mbretit dhe e morën me të shpejtë Hamanin në gostinë që kishte përgatitur Estera.