Estera paraqitet te mbreti
1 Ditën e tretë, Estera veshi rrobat mbretërore dhe u paraqit në oborrin e brendshëm të pallatit mbretëror, përballë pallatit mbretëror. Mbreti rrinte ulur mbi fronin mbretëror në pallat, kundruall hyrjes së pallatit. 2 Kur mbreti e pa Esterën tek qëndronte në oborr, iu duk e hijshme. Mbreti shtriu drejt Esterës skeptrin e artë që mbante në dorë. Estera u afrua dhe preku majën e skeptrit. 3 Atëherë mbreti i tha: «Çfarë ke, mbretëresha Ester? Çfarë kërkese ke? Deri edhe gjysma e mbretërisë do të të jepet». 4 Estera u përgjigj: «Nëse i pëlqen mbretit, le të vijnë sot mbreti me Hamanin në gostinë që kam shtruar për të». 5 Mbreti tha: «Silleni shpejt Hamanin e të bëjmë siç tha Estera». Atëherë mbreti shkoi me Hamanin në gostinë që kishte shtruar Estera. 6 Kur u shtrua vera, mbreti e pyeti Esterën: «Ç’lutje ke? Do të të plotësohet. Çfarë kërkese ke? Deri edhe gjysma e mbretërisë do të të jepet». 7 Atëherë Estera u përgjigj: «Lutja ime dhe dëshira ime është kjo: 8 nëse kam gjetur hir para mbretit e nëse mbretit i duket gjë e mirë të ma plotësojë lutjen e të ma kryejë kërkesën, le të vijë mbreti me Hamanin në gostinë që do të shtroj për ta dhe nesër unë do të bëj siç tha mbreti». 9 Atë ditë Hamani doli i gëzuar e plot hare, por, kur pa Mordakain te porta e mbretit, që nuk u çua e nuk luajti vendit për të, u mbush me zemërim kundër tij. 10 Megjithatë, u përmbajt, shkoi në shtëpi dhe thirri miqtë dhe Zereshën, gruan e vet. 11 Hamani u tregoi për madhështinë e pasurisë së vet, për bijtë e vet të shumtë, sesi mbreti e kishte lartësuar e si e kishte ngritur mbi princat dhe shërbëtorët e vet. 12 Hamani u tha: «Edhe mbretëresha Ester nuk ftoi askënd tjetër përveç meje në gostinë që shtroi për mbretin. Jam i ftuar të shkoj tek ajo me mbretin edhe nesër. 13 Por, gjithë kjo nuk më mjafton për sa kohë ta shoh jude Mordakain ulur te porta e mbretit». 14 Atëherë Zeresha, gruaja e tij, dhe të gjithë miqtë i thanë: «Le të ngrihet një shtyllë njëzet e pesë metra e lartë e nesër thuaji mbretit ta varin në të Mordakain. Pastaj shko i gëzuar në gosti me mbretin». Kjo i pëlqeu Hamanit dhe ai përgatiti shtyllën.