Martesat me të huajt
1 Si u kryen këto, u paraqitën tek unë prijësit e më thanë: «Populli i Izraelit, priftërinjtë e levitët nuk janë ndarë prej popujve të vendeve dhe prej ndyrësive të tyre, pra, prej kananitëve, hititëve, perizitëve, jebusitëve, amonitëve, moabitëve, egjiptianëve dhe amoritëve, 2 por kanë marrë gra nga bijat e tyre, për vete dhe për bijtë e tyre, dhe kështu e kanë përzier farën e shenjtë me popujt vendas. Krerët dhe zyrtarët kanë qenë të parët që e kanë bërë një pabesi të tillë». 3 Me ta dëgjuar këtë gjë, shqeva tunikën e petkun, shkula flokët nga koka e nga mjekra dhe u ula i pikëlluar. 4 Rreth meje u mblodhën të gjithë ata që e kishin frikë Perëndinë e Izraelit, për shkak të pabesisë së të kthyerve nga robëria. Unë ndenja ulur i tmerruar deri në kohën e flisë së mbrëmjes.
5 Gjatë flisë së mbrëmjes, u ngrita nga ajo gjendje pikëllimi dhe me tunikën e petkun ashtu të shqyer, rashë në gjunjë, i shtriva duart drejt Zotit, Perëndisë tim, 6 e i thashë: «O Perëndia im, më vjen turp ta kthej fytyrën drejt teje, se paudhësitë tona janë shtuar aq sa na kanë mbuluar kokën dhe faji ynë ka arritur deri në qiell. 7 Kemi bërë shumë faje që nga koha e etërve tanë e deri më sot dhe, për shkak të këtyre paudhësive tona, mbretërit e priftërinjtë tanë ranë në duart e mbretërve të tokës. Na kanë vrarë deri më sot, na kanë robëruar, na kanë plaçkitur e na e kanë mbuluar fytyrën me turp. 8 Por tani, Zoti, Perëndia ynë, është treguar i mëshirshëm për pak kohë dhe ka lejuar të mbetet një tepricë prej nesh e na ka dhënë strehë vendin e tij të shenjtë, që Perëndia ynë të na ndriçojë sytë dhe të na përtërijë sadopak prej robërisë. 9 Ishim të robëruar, por Perëndia ynë nuk na la në robëri. Ai u tregua i mirë me ne para mbretit të Persisë dhe e bëri të na mbështetë për ndërtimin e tempullit të Perëndisë tonë, për ta ringritur prej rrënojave e për të gjetur strehë në Judë e në Jerusalem. 10 E ç’të themi tani, o Perëndia ynë, pas gjithë këtyre të mirave? Ja, i kemi braktisur urdhërimet e tua, 11 që ti na i dhe përmes profetëve, shërbëtorëve të tu, kur the: “Toka që po merrni në trashëgim është e ndotur prej papastërtisë së popujve vendas dhe e mbushur plot e përplot me fëlliqësitë e tyre të neveritshme. 12 Prandaj mos i jepni bijat tuaja për djemtë e tyre e mos i merrni bijat e tyre për bijtë tuaj. Mos kërkoni kurrë paqen me ta e as mirëqenien e tyre, sepse kështu do të bëheni të fortë, do të hani të mirat e vendit dhe do t’ia lini trashëgim përgjithmonë bijve tuaj”. 13 Pas gjithë atyre që hoqëm për shkak të veprave tona të këqija e për fajin tonë të madh, ndonëse ti, o Perëndia ynë, nuk na ndëshkove sipas fajit tonë, por na le këtë tepricë, 14 a do t’i shkelim sërish urdhërimet e tua e të lidhim martesa me këta popuj të fëlliqur? Mos vallë do të zemërohesh me ne, derisa të na japësh fund e të mos mbesë askush prej nesh? 15 O Zot, Perëndi i Izraelit, ti je i drejtë, prandaj dhe ka mbetur sot kjo tepricë prej nesh. Ja, po paraqitemi para teje me fajin tonë, ndonëse për shkak të tij nuk do të duhej të dilnim para teje».