Udhëtimi i Ezrës
1 Pas këtyre ngjarjeve, gjatë sundimit të Artakserksit, mbretit të Persisë, Ezra, biri i Serajahut, të birit të Azarjahut, të birit të Hilkiahut, 2 të birit të Shalumit, të birit të Cadokut, të birit të Ahitubit, 3 të birit të Amarjahut, të birit të Azarjahut, të birit të Merajotit, 4 të birit të Zerahjahut, të birit të Uziut, të birit të Bukiut, 5 të birit të Abishuait, të birit të Finehasit, të birit të Eleazarit, të birit të Aronit, kryepriftit, 6 pra, vetë Ezra u kthye prej Babilonisë. Ai ishte shkrues i aftë i ligjit të Moisiut, dhënë nga Zoti, Perëndia i Izraelit. Mbreti ia plotësoi të gjitha kërkesat Ezrës, sepse dora e Zotit, Perëndisë së tij, ishte me të. 7 Në vitin e shtatë të mbretërimit të Artakserksit erdhën në Jerusalem disa izraelitë, priftërinj, levitë, këngëtarë, derëtarë e shërbëtorë të tempullit. 8 Ezra mbërriti në Jerusalem në muajin e pestë të vitit të shtatë të mbretërimit të tij. 9 Ai u nis nga Babilonia në ditën e parë të muajit të parë dhe mbërriti në Jerusalem në ditën e parë të muajit të pestë, sepse mbi të ishte dora mirëbërëse e Perëndisë. 10 Ezra ishte dhënë me gjithë zemër pas shqyrtimit të ligjit të Zotit, për ta zbatuar e për t’u mësuar izraelitëve rregullat dhe vendimet e tij.
Urdhëresa e Artakserksit
11 Kjo është letra e shkruar që mbreti Artakserks i dha priftit Ezra, shkruesit, që i njihte mirë urdhërimet dhe rregullat e Zotit për Izraelin: 12 «Artakserksi, mbreti i mbretërve, priftit Ezra, shkruesit të ligjit të Perëndisë së qiellit, shëndet e paqe! 13 Kam nxjerrë një urdhëresë sipas së cilës, kushdo nga populli i Izraelit, nga priftërinjtë e nga levitët, që jeton në mbretërinë time e që dëshiron të shkojë në Jerusalem, të vijë me ty. 14 Për më tepër, ty po të dërgon vetë mbreti dhe shtatë këshilltarët e tij, për të mbikëqyrur Judën dhe Jerusalemin sipas ligjit, të Perëndisë tënd, që e ke marrë me vete, 15 dhe për të çuar në Jerusalem argjendin e arin që mbreti dhe këshilltarët e tij i kanë dhuruar Perëndisë së Izraelit, që e ka banesën atje, 16 si edhe tërë argjendin e arin që mund të mbledhësh në krahinën e Babilonisë, bashkë me dhuratat vullnetare të popullit e të priftërinjve për tempullin e Perëndisë në Jerusalem. 17 Me këto para do të kujdesesh të blesh dema, desh, qengja, fli kushtimi e stërpikjeje, që t’i kushtosh mbi altarin e tempullit të Perëndisë në Jerusalem. 18 Sa për pjesën tjetër të argjendit e të arit që do të teprojë, përdore si të të duket mirë ty dhe vëllezërve të tu, sipas vullnetit të Perëndisë tënd. 19 Enët që t’u dhanë për shërbesën në tempullin e Perëndisë tënd, paraqiti para Perëndisë së Jerusalemit. 20 Për çdo nevojë tjetër të tempullit të Perëndisë tënd, për të cilën do të të takojë ty të blesh, do të marrësh prej thesarit mbretëror.
21 Unë, mbreti Artakserks, kam nxjerrë këtë urdhëresë për të gjithë thesarmbajtësit e krahinës përtej lumit: çfarëdo që të kërkojë prifti Ezra, shkruesi i ligjit të Perëndisë së qiellit, t’i jepet pa vonesë! 22 T’i jepen deri në tre mijë kilogramë argjend, tridhjetë mijë kilogramë grurë, katër mijë litra verë, katër mijë litra vaj, si dhe kripë në sasi të pakufizuar. 23 Çfarëdo që të ketë urdhëruar Perëndia i qiellit të zbatohet me përpikëri për tempullin e Perëndisë së qiellit, që zemërimi i tij të mos bjerë mbi mbretërinë, mbi mbretin e mbi bijtë e tij. 24 Ju bëjmë po ashtu me dije se nuk keni të drejtë t’i kërkoni tatime, tagra e detyrime priftërinjve, levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, të përkushtuarve dhe shërbëtorëve të tempullit të Perëndisë. 25 Sa për ty, Ezra, sipas urtisë që ke prej Perëndisë tënd, ngarkohesh me caktimin e zyrtarëve dhe të gjyqtarëve që do të udhëheqin popullin e krahinës përtej lumit, domethënë të gjithë ata që njohin ligjet e Perëndisë tënd. Atyre që nuk i njohin, mësojua. 26 Kush nuk e zbaton ligjin e Perëndisë tënd dhe urdhëresën e mbretit, të dënohet menjëherë, me vdekje, me dëbim, me marrje të pasurisë ose me burgim».
27 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i etërve tanë, që e frymëzoi kështu zemrën e mbretit, për t’i dhënë hijeshi tempullit të Zotit në Jerusalem. 28 Ai më bëri të gjej mirësi para mbretit, para këshilltarëve të tij dhe para gjithë zyrtarëve të fuqishëm të mbretit. E kështu mora forcë prej dorës së Perëndisë, që është mbi mua, dhe mblodha krerët e Izraelit, që të vinin me mua.