Zoti premton shpëtimin
1 Zoti i tha Moisiut: «Tani do të shohësh se çfarë do t’i bëj faraonit. Për shkak të dorës sime të fuqishme ai do ta lërë popullin të shkojë e do ta dëbojë nga toka e tij».
2 Perëndia i tha Moisiut: «Unë jam Zoti. 3 Abrahamit, Isakut e Jakobit iu dëftova si Perëndia i gjithëpushtetshëm, por emrin tim Zot nuk ua tregova. 4 Unë bëra edhe një besëlidhje me ta që t’u jepja tokën e Kanaanit, tokën në të cilën banuan si të huaj. 5 E kam dëgjuar rënkimin e izraelitëve që po shtypen nga egjiptianët dhe u kujtova për besëlidhjen time. 6 Prandaj thuaju izraelitëve: unë, Zoti, do t’ju nxjerr nga zgjedha e Egjiptit, do t’ju çliroj nga skllavëria e tyre dhe do t’ju shpëtoj duke i goditur me krah të fuqishëm e me gjykime të rënda. 7 Do t’ju marr për popullin tim dhe do të jem Perëndia juaj. Atëherë do ta dini se unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga zgjedha e Egjiptit. 8 Do t’ju çoj në tokën që u betova për t’ia dhënë Abrahamit, Isakut e Jakobit dhe unë, Zoti, do t’jua jap për pronë». 9 Kështu u tha Moisiu izraelitëve, por ata nuk e dëgjuan se ishin ligështuar nga puna e rëndë.
10 Atëherë Zoti i tha Moisiut: 11 «Shko e fol me faraonin, mbretin e Egjiptit, që t’i lërë izraelitët të ikin nga toka e tij». 12 Moisiu iu përgjigj: «Shiko, unë nuk jam i gojës. Si do të më dëgjuaka faraoni kur nuk më dëgjuan as vetë izraelitët?». 13 Por Zoti i foli Moisiut e Aronit dhe i urdhëroi izraelitët e faraonin, mbretin e Egjiptit, që izraelitët të dilnin nga toka e Egjiptit.
Breznitë e Moisiut dhe të Aronit
14 Këta janë krerët e shtëpive të izraelitëve. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit, janë Enoku, Palui, Hecroni e Harmiu. Këto janë familjet e Rubenit. 15 Bijtë e Simeonit janë Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Cohari e Sauli, biri i një kananiteje. Këto janë familjet e Simeonit. 16 Këta janë emrat e bijve të Levit sipas breznive: Gershoni, Kohati dhe Merari. Levi jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. 17 Bijtë e Gershonit janë Libniu e Shimei sipas familjeve të tyre. 18 Bijtë e Kohatit janë Amrami, Ichari, Hebroni e Uzieli. Kohati jetoi njëqind e tridhjetë e tre vjet. 19 Bijtë e Merarit janë Mahliu e Mushiu. Këto janë familjet e Levit sipas breznive.
20 Amrami mori për grua Johebedën, të emtën. Ajo i lindi Aronin e Moisiun. Amrami jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet. 21 Bijtë e Icharit janë Korahu, Nefegu e Zikriu. 22 Bijtë e Uzielit janë Mishaeli, Elcafani e Sitri. 23 Aroni mori për grua Elishebën, të bijën e Aminadabit, motrën e Nahshonit. Ajo i lindi Nadabin, Abihuin, Eleazarin e Itamarin. 24 Bijtë e Korahut janë Asiri, Elkanahu e Abiasafi. Këto janë familjet e Korahitëve. 25 Ndërsa Eleazari, biri i Aronit, mori për grua një nga bijat e Putielit. Ajo i lindi Finehasin. Këta janë krerët e etërve të levitëve sipas familjeve të tyre. 26 Ky është Aroni e Moisiu që Zoti u tha: «Nxirrini izraelitët nga toka e Egjiptit sipas grupimeve të tyre». 27 Moisiu e Aroni ishin ata që i folën faraonit, mbretit të Egjiptit, për të nxjerrë izraelitët nga Egjipti.
28 Ditën kur Zoti i foli Moisiut në tokën e Egjiptit, 29 i tha: «Unë jam Zoti! Thuaji faraonit, mbretit të Egjiptit, gjithçka që po të them». 30 Moisiu iu përgjigj Zotit: «Shiko, unë nuk jam i gojës. Si do të më dëgjuaka faraoni?».