Dalja 4

Perëndia dërgon Moisiun

Moisiu iu përgjigj Perëndisë e i tha: «Po sikur të mos më besojnë, të mos ma dëgjojnë fjalën e të më thonë: “Nuk të është shfaqur Zoti”?». Atëherë Zoti i tha: «Çfarë ke në dorë?». Ai u përgjigj: «Një shkop». Ai i tha: «Hidhe në tokë!» dhe Moisiu e hodhi në tokë. Shkopi u kthye në gjarpër dhe Moisiu u step para tij. Por Zoti i tha Moisiut: «Zgjate dorën dhe kape prej bishti!». Ai zgjati dorën dhe e kapi. Atëherë gjarpri iu kthye në shkop. Perëndia i tha: «Kështu do të besojnë se t’u shfaq Zoti, Perëndia i etërve të tyre, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit».

Zoti i tha përsëri: «Fute dorën në kraharor!». Moisiu futi dorën në kraharor dhe, kur e nxori, lëkura e dorës iu sëmur e iu bë e bardhë si bora. Perëndia i tha: «Fute prapë dorën në kraharor!». Ai e futi dhe, kur e nxori, dora iu kthye si më parë, si gjithë pjesa tjetër e trupit. Pastaj Perëndia i tha: «Nëse nuk të besojnë dhe nuk e pranojnë shenjën e parë, do t’i besojnë të dytës. Dhe nëse nuk u besojnë as këtyre dy shenjave e nuk ta dëgjojnë fjalën, merr ujë nga lumi Nil dhe derdhe në tokë. Atëherë uji që do të marrësh nga Nili do të kthehet në gjak mbi tokë».

10 Por Moisiu i tha Zotit: «Të lutem, Imzot, unë kurrë nuk kam qenë njeri i gojës, as dje, as më përpara dhe as tani që i fole shërbëtorit tënd, sepse jam i ngathët në fjalë e në të folur». 11 Zoti i tha: «Kush ia dha gojën njeriut? Kush e bën memec apo të shurdhër? Kush e bën të shohë apo të verbër? A nuk jam unë, Zoti12 Tani, pra, shko! Unë do të jem me ty kur të flasësh dhe do të të mësoj çfarë të thuash». 13 Por Moisiu i tha: «Të lutem, Imzot, dërgo dikë tjetër». 14 Atëherë Zoti u zemërua me Moisiun e i tha: «A nuk është Aron Leviti vëllai yt? Ai flet mirë. Ja, po del të të takojë dhe do të gëzohet kur të të shohë. 15 Fol me të dhe tregoji çfarë të thotë. Unë do të jem me ju të dy kur të flisni e do t’ju mësoj çfarë të bëni. 16 Lëre Aronin t’i flasë popullit në vendin tënd. Ai do të jetë goja jote dhe ti do të jesh perëndi për të. 17 Merre edhe këtë shkop në dorë. Me të do t’i bësh shenjat».

Moisiu kthehet në Egjipt

18 Atëherë Moisiu shkoi, u kthye te vjehrri i tij, Jetri, e i tha: «Lërmë të kthehem te vëllezërit e mi në Egjipt, që të shoh në janë ende gjallë». Jetri i tha Moisiut: «Shko në paqe!». 19 Zoti i tha Moisiut në Midian: «Kthehu në Egjipt, sepse të gjithë njerëzit që donin të të vrisnin kanë vdekur». 20 Moisiu mori me vete gruan dhe bijtë e tij, i ngarkoi mbi gomarë e u nis për në tokën e Egjiptit. Ai mori në dorë edhe shkopin e Perëndisë. 21 Zoti i tha Moisiut: «Kur të kthehesh në Egjipt bëji para faraonit të gjitha mrekullitë që të lashë në dorë t’i bësh. Por unë do t’ia ngurtësoj zemrën dhe ai nuk do ta lërë popullin të shkojë. 22 Pastaj do t’i thuash faraonit: “Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im i parëlindur. 23 Prandaj po të them: lëre birin tim të shkojë, që të më shërbejë. Nëse nuk e lë të shkojë, unë do të vras birin tënd të parëlindur”».

24 Rrugës, në një vend ku kaluan natën, Zoti i doli përpara dhe deshi ta vriste. 25 Atëherë Sefora mori një gur të mprehtë, ia preu lafshën të birit dhe duke i prekur gjymtyrëna, tha: «Të kam dhëndër gjaku!». 26 Perëndia u tërhoq prej tij e ajo tha: «Dhëndër gjaku nga rrethprerja».

27 Zoti i tha Aronit: «Shko të takosh Moisiun në shkretëtirë». Ai shkoi, i doli Moisiut përpara në malin e Perëndisë dhe e puthi. 28 Moisiu i tregoi Aronit të gjitha fjalët që Zoti i kishte porositur të thoshte dhe të gjitha shenjat që i kishte urdhëruar të bënte. 29 Pastaj Moisiu e Aroni shkuan e mblodhën gjithë pleqtë e Izraelit. 30 Aroni u tha tërë fjalët që Zoti i kishte thënë Moisiut dhe i bëri shenjat para popullit. 31 Populli u besoi dhe, kur dëgjuan se Zoti e kishte kujtuar Izraelin dhe e kishte parë mjerimin e tyre, u përkulën dhe e adhuruan.


 a4.25 he. këmbët