Lindja e Moisiut
1 Një burrë prej shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet. 2 Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Kur pa sa i mirë ishte, e fshehu foshnjën për tre muaj. 3 Por, ngaqë nuk e mbante dot më fshehur, mori një shportë xunkthi, e leu me bitum e katran dhe vuri foshnjën në të. Pastaj e vendosi shportën mes kallamishteve buzë lumit Nil. 4 E motra e foshnjës qëndroi pak më larg që të shihte se çfarë do t’i ndodhte.
5 Atëherë bija e faraonit erdhi për t’u larë në lumë kur shërbëtoret e saj po shëtisnin buzë lumit. Pa shportën mes kallamishteve dhe dërgoi shërbëtoren që ta merrte. 6 Kur hapi shportën, pa djalin. Dhe ja, djali po qante. Iu dhimbs e tha: «Qenka foshnjë hebreje!». 7 Atëherë motra e foshnjës i tha bijës së faraonit: «A të shkoj e të thërras një mëndeshë hebreje që të ta ushqejë foshnjën?». 8 Ajo iu përgjigj: «Shko!» dhe vajza shkoi e thirri të ëmën e foshnjës. 9 Pastaj bija e faraonit i tha: «Merre këtë foshnjë e mënde dhe unë do të të paguaj!». Gruaja e mori foshnjën dhe e mëndi. 10 Kur djali u rrit, ia solli bijës së faraonit. Ajo e birësoi dhe e quajti Moisi, sepse tha: «E nxora nga uji!».
Moisiu largohet nga Egjipti
11 Moisiu u rrit. Një ditë ai shkoi te vëllezërit e vet dhe pa punën e rëndë që bënin. Aty pa një egjiptian që po rrihte një hebre, një nga vëllezërit e tij. 12 Moisiu vështroi andej-këtej dhe, kur pa që s’kishte njeri, e vrau egjiptianin dhe ia fshehu trupin në rërë. 13 Kur doli të nesërmen, pa dy hebrenj që po ziheshin. Atëherë i tha fajtorit: «Përse e rreh shokun tënd?». 14 Ai i tha: «Kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A ke ndër mend të më vrasësh sikurse vrave egjiptianin?». Moisiun e kapi frika e tha: «Me të vërtetë qenka marrë vesh se ç’bëra». 15 Kur e mori vesh se ç’kishte bërë Moisiu, faraoni deshi ta vriste. Moisiu iku prej tij dhe banoi në tokën e Midianit. Aty u ul pranë një pusi.
16 Prifti i Midianit kishte shtatë bija. Ato erdhën, nxorën ujë dhe mbushën koritë që t’u jepnin për të pirë dhenve të atit të tyre. 17 Pastaj erdhën disa barinj dhe i dëbuan vajzat. Por Moisiu u ngrit, u erdhi në ndihmë vajzave e u dha ujë dhenve të tyre. 18 Kur vajzat u kthyen tek i ati, Reueli, ai u tha: «Përse u kthyet kaq shpejt sot?». 19 Ato i thanë: «Një egjiptian na shpëtoi prej barinjve, madje na nxori edhe ujë për dhentë». 20 Ai u tha: «Po ai ku është? Përse e latë mbrapa? Thirreni që të hajë bukë!». 21 Moisiut i pëlqeu të banojë me këtë njeri dhe ai i dha për grua bijën e tij, Seforën. 22 Ajo lindi djalë dhe Moisiu e quajti Gershom, sepse tha: «Jam i ardhur në dhe të huaj!».
23 Pas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit. Izraelitët ende rënkonin nën skllavëri dhe klithën për ndihmë. Klithma e tyre për shpëtim nga skllavëria arriti te Perëndia. 24 Perëndia e dëgjoi rënkimin e tyre dhe u kujtua për besëlidhjen e tij me Abrahamin, me Isakun e me Jakobin. 25 Perëndia i pa izraelitët dhe u kujdes për ta.