Moisiu takon Jetrin
1 Jetri, prifti i Midianit, vjehrri i Moisiut, dëgjoi për gjithçka kishte bërë Perëndia për Moisiun e Izraelin, popullin e tij, dhe sesi Zoti e kishte nxjerrë nga Egjipti. 2 Atëherë ai mori me vete Seforën, gruan e Moisiut, që Moisiu e kishte dërguar tek i ati, 3 bashkë me dy bijtë e saj. Njëri quhej Gershom, se Moisiu kishte thënë: «Jam i ardhur në dhe të huaj!», 4 ndërsa tjetri quhej Eliezer, se kishte thënë: «Perëndia i atit tim është ndihma ime! Ai më shpëtoi nga shpata e faraonit». 5 Jetri, vjehrri i Moisiut, bashkë me të shoqen e Moisiut dhe bijtë e tij, shkoi te Moisiu në shkretëtirë, te vendi ku ai po fushonte, pranë malit të Perëndisë. 6 Ai i çoi fjalë: «Jetri, vjehrri yt, po vjen te ti bashkë me gruan tënde dhe me dy bijtë e saj». 7 Moisiu doli për të takuar të vjehrrin. Iu përkul me nderim, e puthi dhe pasi përshëndetën njëri-tjetrin hynë në tendë. 8 Moisiu i tregoi të vjehrrit gjithçka Zoti i bëri faraonit dhe Egjiptit për hir të Izraelit. Ai i tregoi për tërë vështirësitë që kishin hasur rrugës dhe sesi Zoti i kishte shpëtuar. 9 Jetri u gëzua për tërë të mirat që Zoti kishte bërë për Izraelin duke e çliruar nga dora e egjiptianëve.
10 Atëherë ai tha: «Bekuar qoftë Zoti, që ju çliroi nga dora e egjiptianëve dhe nga dora e faraonit, që e çliroi popullin nga kthetrat e Egjiptit. 11 Tani e di se Zoti është më i madh se tërë perënditë e tjerë, sepse e tregoi kur egjiptianët u sollën me kryeneçësi kundër popullit të tij». 12 Pastaj Jetri, vjehrri i Moisiut, kushtoi fli shkrumbimi dhe flijime për Perëndinë. Aroni dhe tërë pleqtë e Izraelit erdhën për të ngrënë bashkë me vjehrrin e Moisiut në prani të Perëndisë.
Këshilla e Jetrit
13 Të nesërmen, Moisiu u ul për të gjykuar popullin. Populli qëndronte para tij nga mëngjesi deri në mbrëmje. 14 Kur Jetri pa gjithçka që Moisiu bënte për popullin, i tha: «Çfarë po i bën kështu popullit? Përse ulesh e gjykon i vetëm, ndërkohë që tërë populli qëndron para teje nga mëngjesi deri në mbrëmje?». 15 Moisiu iu përgjigj të vjehrrit: «Se populli vjen tek unë për të marrë këshilla prej Perëndisë. 16 Kur ka mosmarrëveshje, ata vijnë tek unë që t’i gjykoj dhe t’u mësoj rregullat dhe ligjet e Perëndisë». 17 Por i vjehrri i tha: «Nuk e ke mirë punën! 18 Do të rraskapitesh si ti, ashtu edhe populli. Kjo punë është tepër e rëndë për ty. Nuk e bën dot vetëm. 19 Më dëgjo! Unë po të këshilloj kështu dhe Perëndia e bëftë mbarë: ti përfaqëso popullin para Perëndisë dhe paraqiti çështjet para tij. 20 Mësoju rregullat dhe ligjet. Bëju të ditur udhën, në të cilën duhet të ecin dhe veprat që duhet të bëjnë. 21 Por, zgjidh nga populli disa njerëz të aftë, që e druajnë Perëndinë, njerëz të besuar dhe që e urrejnë përfitimin e padrejtë. Vendosi në krye të popullit si prijës të një mijë, të njëqind, të pesëdhjetë dhe të dhjetë vetëve. 22 Ata ta gjykojnë popullin në çdo kohë. Çështjet e rënda t’i paraqesin ty, ndërsa ato të rëndomtat t’i gjykojnë vetë. Kështu, barra do të të lehtësohet, se do ta ndash me të tjerë. 23 Nëse vepron kështu dhe Perëndia e miraton, atëherë do t’i bësh ballë punës dhe gjithë ky popull do të kthehet në shtëpi i kënaqur».
24 Moisiu e dëgjoi fjalën e të vjehrrit dhe bëri siç i tha ai. 25 Zgjodhi prej popullit të Izraelit njerëz të aftë dhe i vuri në krye të popullit si prijës të një mijë, të njëqind, të pesëdhjetë dhe të dhjetë vetave. 26 Ata e gjykonin popullin në çdo kohë. Çështjet e rënda ia paraqitnin Moisiut, ndërsa ato të rëndomtat i gjykonin vetë. 27 Pastaj Moisiu e përcolli të vjehrrin dhe ai shkoi në vendin e vet.