Fëmijët dhe prindërit
1 Ju fëmijë, bindjuni prindërve tuaj për hir të Zotit, sepse kjo është e drejtë. 2 Ndero atin tënd e nënën tënde, ky është urdhërimi i parë që shoqërohet me premtim: 3 që të jesh mirë e të jetosh gjatë mbi dhe.
4 Dhe ju, etër, mos i zemëroni fëmijët tuaj, por rritini me disiplinën e me këshillat e Zotit.
Skllevërit dhe zotërinjtë
5 Ju shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj tokësorë me nderim e frikë dhe me zemër të sinqertë, sikurse Krishtit, 6 jo sa për sy e faqe, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, që bëjnë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt. 7 Shërbeni me dashamirësi si t’i shërbenit Zotit e jo njerëzve, 8 duke e ditur se ai që bën mirë, qoftë skllav a i lirë, do të marrë shpërblimin prej Zotit.
9 Edhe ju, zotërinj, silluni po ashtu me ta e hiqni dorë nga kërcënimet, duke e ditur se edhe ju, edhe skllevërit tuaj, keni të njëjtin Zot në qiej, i cili nuk mban anën e askujt.
Lufta kundër së keqes
10 Së fundie, forcohuni nga Zoti dhe nga fuqia e pushtetit të tij. 11 Ngjishni gjithë armët e Perëndisë, që të mund të qëndroni të fortë kundër dredhive të djallit. 12 Sepse ne nuk luftojmë kundër njerëzve prej mishi e gjaku, por kundër parive, kundër pushteteve, kundër sunduesve të kësaj bote të errët, kundër shpirtrave të këqij në vendet qiellore. 13 Prandaj merrni gjithë armët e Perëndisë, që të mund t’i bëni ballë ditës së ligë e të qëndroni të fortë pasi të keni luftuar deri në fund.
14 Qëndroni, pra, të fortë, me ijët ngjeshur me të vërtetën e vishni drejtësinë si parzmore. 15 Mbathni këmbët me gatishmërinë për të predikuar ungjillin e paqes. 16 Mbani gjithmonë në dorë besimin si mburojë, me të cilin do të mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut. 17 Mbani shpëtimin si përkrenare dhe shpatën e Shpirtit që është fjala e Perëndisë.
18 Lutuni në çdo kohë dhe drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë, të udhëhequr nga Shpirti. Prandaj rrini zgjuar e këmbëngulni në lutjet tuaja për të gjithë të shenjtët. 19 Lutuni edhe për mua, që Perëndia të më japë fjalët e duhura kur të hap gojën për të predikuar me guxim të fshehtën e ungjillit. 20 Unë jam i dërguar për të predikuar këtë ungjill edhe tani që jam i lidhur në pranga. Lutuni që ta shpall atë me guximin e duhur.
Përshëndetjet e fundit
21 Tikiku, vëllai ynë i dashur e shërbëtori besnik në veprën e Zotit, do t’ju tregojë gjithçka për mua, që ta merrni vesh sesi jam e çfarë po bëj. 22 Po e dërgoj te ju, që të dini sesi jemi e që t’u japë ngushëllim zemrave tuaja.
23 Perëndia Atë dhe Zoti Jezu Krisht u dhënçin të gjithë vëllezërve paqe, dashuri e besim.
24 Hiri qoftë me të gjithë ata që e duan Zotin tonë Jezu Krisht me dashuri të pavdekshme!