Njëshmëria i trupit
1 Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju lutem të bëni një jetë të denjë për Perëndinë që ju thirri, 2 një jetë me shumë përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e pranuar njëri-tjetrin me dashuri, 3 duke u përpjekur të ruani njëshmërinë që vjen nga Shpirti, përmes paqes që ju lidh me njëri-tjetrin. 4 Ka vetëm një trup e vetëm një Shpirt, sikurse dhe ka vetëm një shpresë në të cilën ju thirri Perëndia. 5 Ka vetëm një Zot, një besim, një pagëzim, 6 një Perëndi dhe Atë të të gjithëve, që është mbi të gjithë, që vepron përmes të gjithëve e që banon në të gjithë.
7 Kështu, secilit nga ne iu dha hiri në atë masë që Krishti deshi të na dhurojë. 8 Prandaj thuhet:
kur u ngrit në lartësi,
të robëruarit i bëri robër të tij
e njerëzve u dha dhunti.
9 Fjalët «u ngrit», a nuk do të thonë se ai kishte zbritur më parë në pjesët më të ulëta të tokës? 10 Ai që zbriti është po ai që edhe u ngrit përmbi gjithë qiejt, që të përmbushë gjithçka.
11 Disa ai i bëri apostuj, disa i bëri profetë, disa i bëri ungjilltarë, disa i bëri barinj e mësues, 12 që të përgatisë të shenjtët për të kryer veprën e shërbimit ndaj të tjerëve, për rritjen në besim të trupit të Krishtit, 13 derisa të arrijmë të gjithë në njëshmërinë e besimit dhe në njohjen e Birit të Perëndisë. Kështu do të bëhemi njerëz të përsosur, sipas masës së përsosmërisë së Krishtit, 14 që të mos jemi më foshnja, të hedhur andej-këtej, që i vërtit era e çdo mësimi njerëzor dhe që e lënë veten të mashtrohen nga dinakëria e dredhia e njerëzve. 15 Por, duke dëshmuar të vërtetën me dashuri, le të rritemi plotësisht drejt atij që është kreu, Krishtit. 16 Ai bashkon e lidh gjithë trupin nëpërmjet nyjeve dhe çdo gjymtyrë, sipas detyrës së vet, ndihmon në rritjen e trupit dhe në forcimin e tij në dashuri.
Jeta e vjetër dhe e re
17 Prandaj, në emër të Zotit, po ju them e po ju përbetohem: mos jetoni më ashtu siç jetojnë kombet që mendojnë kotësira. 18 Ata e kanë mendjen të errësuar dhe janë larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që kanë dhe për shkak të ngurtësimit të zemrave të tyre. 19 Ata janë bërë të pandjeshëm, e kanë lëshuar veten në fëlligështi dhe me lakmi të pangopur kryejnë vepra të ndyra.
20 Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin. 21 Sigurisht ju e keni dëgjuar Jezuin dhe jeni mësuar prej tij, sipas të vërtetës që gjendet në të. 22 Hidhni tej mënyrën e mëparshme të të jetuarit dhe njeriun e vjetër që shkatërrohet nga epshet mashtruese. 23 Përtërihuni në shpirtin e në mendjen tuaj 24 dhe vishni njeriun e ri që Perëndia e krijoi për të jetuar në drejtësinë dhe në shenjtërinë, të cilat vijnë nga e vërteta e tij.
Rregulla për jetën e re
25 Prandaj, hidhni tej gënjeshtrat dhe çdonjëri t’i thotë të vërtetën të afërtit, sepse jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit. 26 Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të zemëruar. 27 Mos i bëni vend djallit.
28 Kush vidhte, le të mos vjedhë më, por, përkundrazi, të punojë ndershmërisht me duart e veta, që të ketë për t’i dhënë atij që ka nevojë.
29 Le të mos dalë asnjë fjalë e ndyrë nga goja juaj, por vetëm fjalë të dobishme që ndihmojnë rritjen në besim, sipas nevojës, e që të jenë të dobishme për ata që i dëgjojnë.
30 Mos e brengosni Shpirtin e shenjtë të Perëndisë, me të cilin ai ju vulosi për ditën e shpengimit.
31 Hiqni nga vetja çdo lloj hidhëtie, zemërimi, tërbimi, bërtitjeje e fyerjeje, si dhe çdo ligësi.
32 Përkundrazi, jini të mirë e të dhembshur me njëri-tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse ju ka falur edhe Perëndia përmes Krishtit.