Danieli 5

Gostia e Belshacarit

Mbreti Belshacar bëri një gosti të madhe për një mijë fisnikë të tij dhe në prani të tyre piu verë.

Nën ndikimin e verës, Belshacari urdhëroi t’i sillnin enët prej ari e prej argjendi, të cilat Nabukodonosori, ati i tij, i kishte marrë prej tempullit të Jerusalemit, që të pinte me to bashkë me fisnikët e tij, me gratë e me shemrat e tij. I sollën, pra, enët prej ari që ishin marrë prej tempullit të Perëndisë në Jerusalem dhe mbreti piu prej tyre bashkë me fisnikët, me gratë e me shemrat e tij. Pinë verë dhe përlëvduan perënditë prej ari, prej argjendi, prej bronzi, prej hekuri, prej druri apo prej guri.

Teksa pinin, u shfaqën gishtërinjtë e një dore njeriu, që filluan të shkruanin mbi suvanë e murit të pallatit mbretëror, përballë pishtarit të madh. Kur mbreti e pa dorën që po shkruante, u zverdh në fytyrë, iu pështjelluan mendimet, nyjat e ijëve e lëshuan dhe gjunjët filluan t’i dridheshin e t’i përplaseshin. Atëherë mbreti ulëriu dhe urdhëroi t’i sillnin shortarët, magjistarët e dijetarët e yjeve. Pastaj mbreti u tha dijetarëve të Babilonisë: «Kush mund ta lexojë këtë shkrim e të më tregojë kuptimin e tij, do të vishet me të purpurta, do t’i vihet një gjerdan ari në qafë dhe do të jetë i treti në qeverisjen e vendit». Shkuan të gjithë dijetarët e mbretit, por nuk mundën ta lexonin shkrimin e as t’i tregonin kuptimin. Atëherë mbreti Belshacar u tmerrua e u zverdh edhe më shumë në fytyrë. Edhe fisnikët e tij u tronditën.

10 Mbretëresha dëgjoi ulërimën e mbretit dhe të fisnikëve të tij. Atëherë ajo hyri në sallën e gostisë e tha: «Rrofsh përgjithmonë, o mbret! Mos u tmerro prej mendimeve të tua e mos u zverdh në fytyrë. 11 Në mbretërinë tënde është një njeri që ka shpirtin e perëndive të shenjtë. Në ditët e atit tënd, ai ishte i ndriçuar, kishte aftësinë për të kuptuar, si dhe një urti të ngjashme me atë të perëndive. Madje, mbreti Nabukodonosor, ati yt, e kishte caktuar kryetar të shortarëve, të magjistarëve dhe të dijetarëve të yjeve. 12 Ky Danieli, që mbreti e quajti Belteshacar, ka një shpirt të jashtëzakonshëm, ka njohuri, mençuri dhe aftësinë për të shpjeguar ëndrrat, për të zbuluar të fshehtat e për të zgjidhur çështjet e ndërlikuara. Të thirret, pra, Danieli dhe ai do ta japë kuptimin e shkrimit».

Danieli para mbretit

13 Atëherë Danielin e sollën para mbretit dhe mbreti e pyeti: «A je ti Danieli, një nga bijtë e të shpërngulurve të Judës, që ati im, mbreti, i solli prej Judës? 14 Kam dëgjuar se ti ke shpirtin e perëndive dhe se zotëron njohuri, mençuri e urti të madhe. 15 Pak më parë sollën para meje dijetarët dhe shortarët që të lexonin këtë shkrim e të më tregonin kuptimin e tij, por ata nuk ma treguan dot kuptimin. 16 Kam dëgjuar se ti je i aftë të shpjegosh gjëra e të zgjidhësh çështje të ndërlikuara. Nëse do t’ia dalësh ta lexosh këtë shkrim e të më tregosh kuptimin e tij, do të vishesh me të purpurta, do të të vihet një gjerdan ari në qafë dhe do të jesh i treti në qeverisjen e vendit».

17 Danieli iu përgjigj mbretit e tha: «Dhuratat e tua mbaji për vete dhe shpërblimet e tua jepja dikujt tjetër. Gjithsesi, unë shkrimin do ta lexoj dhe kuptimin e tij do t’ia tregoj mbretit. 18 O mbret, Perëndia i tejlartë i kishte dhënë atit tënd, Nabukodonosorit, mbretërinë, madhështinë, lavdinë dhe nderin. 19 Falë madhështisë që i kishte dhënë Perëndia, të gjithë popujt, kombet e gjuhët dridheshin nga frika para tij. Ai vriste kë të donte e linte gjallë kë të donte. Nderonte kë të donte e poshtëronte kë të donte. 20 Por, kur zemra iu mbush me krenari dhe në shpirt s’kishte veçse mburrje, e rrëzuan prej fronit të mbretit dhe ia hoqën lavdinë. 21 E dëbuan nga njerëzia, zemra iu bë si e kafshëve dhe banonte me gomarët e egër. I dhanë të hajë bar si kau dhe trupin ia lagte vesa e qiellit, derisa kuptoi se pushtetin mbi mbretëritë e njerëzve e ka i Tejlarti dhe se këtë pushtet ia jep kujt të dojë. 22 Por ti, o Belshacar, që je biri i tij, nuk e përule zemrën, ndonëse i dije të gjitha këto. 23 Përkundrazi, iu kundërvure Zotit të qiellit dhe urdhërove të të sjellin enët e tempullit të tij dhe me to pive verë bashkë me fisnikët, me gratë e me shemrat e tua. Nderove perënditë prej ari, argjendi, bronzi, hekuri, druri e guri, që as shohin, as dëgjojnë e as kuptojnë dhe Perëndisë, që ka në dorë frymën tënde dhe të ardhmen tënde, nuk i dhe lavdi. 24 Prandaj ai dërgoi këtë pëllëmbë, që të shkruante këtë shkrim.

25 Ja, çka është shkruar: “Mene, mene, tekel ufarsinb”. 26 Kuptimi i “mene” është se Perëndia e ka matur mirë mbretërinë tënde dhe i ka dhënë fund. 27 Kuptimi i “tekel” është se të kanë peshuar me peshore dhe ke dalë mangët. 28 Kuptimi i “peres” është se mbretëria jote u nda më dysh e iu dha medëve e persëve».

29 Atëherë Belshacari dha urdhër dhe Danielin e veshën me të purpurta, i vunë gjerdan ari në qafë dhe e shpallën të tretin në qeverisjen e mbretërisë. 30 Po atë natë, Belshacari, mbreti i kaldenjve, u vra.


 b5.25 arm. ufarsin është «peres» dhe lidhësja «dhe»