Danieli 3

Shtatorja e artë

Mbreti Nabukodonosor bëri një shtatore prej ari tridhjetë metra të lartë dhe tre metra të gjerë dhe e vendosi në fushën e Durës, në krahinën e Babilonisë. Mandej dërgoi që të mblidheshin të gjithë satrapët, qeveritarët e krahinave, drejtuesit, këshilltarët, krerët e thesarit, gjyqtarët, shkruesit e ligjit dhe të gjithë zyrtarët e krahinave, për përurimin e shtatores që kishte ngritur. Kështu, satrapët, qeveritarët e krahinave, drejtuesit, këshilltarët, krerët e thesarit, gjyqtarët, shkruesit e ligjit dhe të gjithë zyrtarët e krahinave u mblodhën për përurimin e shtatores, që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor, dhe qëndruan para saj. Atëherë zëdhënësi thirri me zë të lartë e tha: «Juve, o popuj, kombe e gjuhë, ju jepet ky urdhër: kur të dëgjoni tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, atëherë do të përkuleni përtokë e do të adhuroni shtatoren e artë, që ka ngritur mbreti Nabukodonosor. Kush nuk do të përkulet për të adhuruar, do të hidhet menjëherë në furrën e zjarrit përvëlues». Kështu, sapo dëgjuan tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, të gjithë popujt e çdo kombi e të çdo gjuhe u përkulën dhe adhuruan shtatoren e artë që kishte ngritur mbreti Nabukodonosor.

Por, në atë kohë, disa kaldenj gjetën rastin për të paditur judenjtë. Ata u paraqitën te mbreti Nabukodonosor e i thanë: «Rrofsh përgjithmonë, o mbret! 10 Ti, o mbret, nxore një urdhër sipas të cilit, të gjithë njerëzit që do të dëgjonin tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, do të përkuleshin dhe do të adhuronin shtatoren e artë, 11 dhe se kushdo që nuk do të përkulej për të adhuruar, do të hidhej në furrën e zjarrit përvëlues. 12 Por, disa judenj, që ti i ke caktuar si drejtues të krahinës së Babilonisë, Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja, nuk të binden, o mbret. Ata nuk u shërbejnë perëndive të tua dhe nuk e adhurojnë shtatoren e artë që ke ngritur ti».

13 Atëherë Nabukodonosori, i tërbuar nga zemërimi, urdhëroi që t’i sillnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon. Kur i sollën para mbretit, 14 ai i pyeti e u tha: «A është e vërtetë Shadrak, Meshak dhe Abed Nego, që ju nuk u shërbeni perëndive të mia dhe nuk e adhuroni shtatoren që kam ngritur unë? 15 Tani, kur të dëgjoni tingullin e bririt, të fyellit, të qestes, të lirës, të harpës, të gajdes e të çdo lloj vegle muzikore, nëse nuk përkuleni për të adhuruar shtatoren që kam bërë unë, do të hidheni menjëherë në furrën e zjarrit përvëlues. Cili perëndi do t’ju shpëtojë prej duarve të mia?».

16 Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja iu përgjigjën mbretit Nabukodonosor e i thanë: «Nuk kemi nevojë të të japim asnjë përgjigje për këtë, o mbret. 17 Ja, Perëndia, që ne adhurojmë, është në gjendje të na shpëtojë prej furrës së zjarrit përvëlues e të na çlirojë prej dorës sate, o mbret. 18 Por, edhe nëse nuk e bën, dije, o mbret, se ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do ta adhurojmë shtatoren e artë që ke ngritur ti».

19 Atëherë Nabukodonosori u mbush me zemërim, i ndryshoi fytyra ndaj Shadrakut, Meshakut dhe Abed Negos e dha urdhër që ta nxehnin furrën shtatë herë më shumë se zakonisht. 20 Mandej urdhëroi disa burra të fuqishëm të ushtrisë së tij, që t’i lidhnin Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon e t’i hidhnin në furrën e zjarrit përvëlues. 21 Atëherë i lidhën ashtu siç ishin veshur, me tunika, me kapele e me rroba dhe i hodhën në mes të furrës së zjarrit përvëlues. 22 Por, meqenëse urdhri i mbretit ishte i ashpër dhe furra ishte tejnxehur, flakët e zjarrit i dogjën ushtarët që hodhën në të Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon. 23 Kështu, tre djemtë, Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja, ranë të lidhur në mes të furrës së zjarrit përvëlues.

24 Atëherë mbreti Nabukodonosor shtangu, brofi menjëherë në këmbë dhe pyeti këshilltarët e tij: «A nuk hodhëm tre burra të lidhur në mes të flakës?». Ata iu përgjigjën: «Po, o mbret». 25 «Si, pra, unë shoh katër burra të palidhur», tha mbreti, «që ecin në mes të flakës, pa u djegur? Pamja e të katërtit ngjan me një qenie hyjnore».

26 Nabukodonosori iu afrua grykës së furrës së zjarrit përvëlues e tha me zë të lartë: «Shadrak, Meshak dhe Abed Nego, ju, o shërbëtorë të Perëndisë së tejlartë, dilni prej aty dhe ejani!». Atëherë Shadraku, Meshaku dhe Abed Negoja dolën nga zjarri. 27 Satrapët, qeveritarët e krahinave, drejtuesit dhe këshilltarët e mbretit u mblodhën për të parë ata burra dhe, ja, zjarri nuk ua kishte prekur trupat, flokët e kokës nuk ua kishte përcëlluar, nuk ua kishte dëmtuar tunikat dhe, madje, nuk vinin as era zjarr. 28 Atëherë Nabukodonosori tha: «Bekuar qoftë Perëndia i Shadrakut, Meshakut dhe Abed Negos, i cili dërgoi engjëllin e tij për të shpëtuar shërbëtorët e tij. Ata patën besim tek ai dhe e shkelën urdhrin e mbretit, por rrezikuan t’u digjeshin trupat dhe nuk u përkulën për të adhuruar perëndi tjetër, përveç Perëndisë së tyre! 29 Prandaj kam nxjerrë këtë vendim: cilido popull, komb apo gjuhë që do të flasë kundër Perëndisë së Shadrakut, Meshakut dhe Abed Negos të bëhet copë e çikë dhe shtëpia e tij të kthehet në vend plehrash, se nuk ka tjetër Perëndi që mund të shpëtojë kështu». 30 Pas kësaj, mbreti i ngriti në detyrë Shadrakun, Meshakun dhe Abed Negon në krahinën e Babilonisë.

Ëndrra e pemës së madhe

31 a Mbreti Nabukodonosor u drejtohet të gjithë popujve, kombeve e gjuhëve që banojnë në mbarë tokën: «U shtoftë paqja juaj! 32 M’u duk mirë t’ju bëja të ditur shenjat dhe mrekullitë që bëri për mua Perëndia i tejlartë.

33 Sa të mëdha janë shenjat e tij,

sa të fuqishme mrekullitë e tij!

Mbretëri e amshuar mbretëria e tij,

sundimi i tij është brez pas brezi!».


 a3.31-33 të tjerë i rendisin si 4.1-3