Mjerimi dhe ngjallja
1 «Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd. Do të jetë një kohë e tillë mjerimi, e paparë kurrë, që nga koha kur u krijuan kombet e deri në atë kohë. Prej popullit tënd do të shpëtojnë të gjithë ata që janë të shkruar në Libër. 2 Shumë prej atyre që flenë nën baltën e tokës do të zgjohen, disa për jetën e amshuar, disa për turpin dhe tmerrin e amshuar. 3 Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë porsi kupa qiellore. Ata, të cilëve u kanë prirë shumë vetë në drejtësi do të shkëlqejnë si yjet përjetë e në amshim. 4 Ndërsa ti, o Daniel, mbaji të fshehta këto fjalë dhe vulose Librin deri në kohën e fundit. Shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet».
5 Atëherë unë, Danieli, pashë dhe, ja, dy burra të tjerë qëndronin më këmbë, njëri në këtë breg të lumit, ndërsa tjetri në bregun tjetër të lumit. 6 Njëri prej tyre i tha burrit të veshur me petka liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit: «Kur do të marrin fund këto ndodhi të mrekullueshme?». 7 Atëherë dëgjova burrin e veshur me petka liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit. Ai kishte ngritur drejt qiellit dorën e djathtë dhe dorën e majtë e u betua për atë që jeton në amshim: «Këto do të përmbushen pas një kohe, pas disa kohërave e pas një gjysmë kohe, kur të ketë marrë fund shtypja e fuqisë së popullit të shenjtë». 8 Unë e dëgjova, por nuk kuptova, prandaj e pyeta: «Imzot, kur do të jetë fundi i këtyre ndodhive?». 9 Ai m’u përgjigj: «Shko, Daniel, se këto janë fjalë të fshehta e të vulosura deri në kohën e fundit. 10 Shumë do të përsosen, do të pastrohen e do të shndrijnë, ndërsa të paudhët do të bëjnë paudhësi e asnjë prej tyre nuk do të kuptojë. Vetëm të mençurit do të kuptojnë. 11 Që nga koha që do të ndalohet flija e përhershme e deri në vendosjen e ndyrësisë së neveritshme, do të kalojnë një mijë e dyqind e nëntëdhjetë vjet. 12 Lum ai që duron dhe arrin një mijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë! 13 Ti shko deri në fund. Do të prehesh e do të ngjallesh për të marrë trashëgiminë tënde në mbarim të ditëve».