Amosi 6

Mjerë prijësit

«Mjerë ata që krekosen në Sion,

që ndihen të sigurt në malin e Samarisë,

mjerë paria e kombit të përzgjedhur,

te të cilët shtëpia e Izraelit shkon për ndihmë.

Kaloni nëpër Kalneh e vështroni,

shkoni prej andej në Hamat Rabah,

zbrisni te Gati i Filistesë.

A mos jeni më të mirë se këto kombe?

A është vendi i tyre më i madh se vendi juaj?

O ju, që shpërfillni ditën e mjerimit

e pushtetin e dhunës nxisni.

Mjerë ata që shtrihen në shtretër të fildishtë,

që shtriqen divaneve,

e hanë qengjat e kopesë

dhe viçat e stallës.

Ata luajnë me lirën

e si Davidi sajojnë vegla muzikore,

pinë verë me tas,

veten vajosin me vaj të përzgjedhur

e për rrënojat e Jozefit nuk lëngojnë.

Ndaj do të jenë në krye të të shpërngulurve,

fund do të marrë gazi i tyre i shfrenuar.

U betua Zoti, Zoti im për veten e vet,

kumton Zoti, Perëndia i ushtrive:

“Më neveritet krenaria e Jakobit,

fortesat e tij i urrej

e qytetin me ç’ka brenda

do ta dorëzoj”.

Nëse mbesin dhjetë vetë në një shtëpi, edhe ata do të vdesin. 10 Një nga të afërmit, ai që djeg kufomat, kur të nxjerrë eshtrat nga shtëpia do të pyesë: “A ka mbetur ndonjë tjetër brenda?”. I afërti në fund të shtëpisë do të përgjigjet: “Jo!”. E më pas do të thotë: “Hesht! Se nuk bën të përmendet emri i Zotit!”.

11 Ja, Zoti po jep urdhër,

shtëpinë e madhe do ta bëjë copë e çikë,

shtëpinë e vogël do ta bëjë thërrime.

12 A kalërojnë kuajt mbi shkëmbinj?

A lërohet shkëmbic me qe?

Por, ju e kthyet të drejtën në helm,

frytin e drejtësisë në farmak.

13 O ju që mburreni për Lo Debarinç,

e thoni: “A nuk e pushtuam

me forcën tonë?”.

14 Ja, po ngre kundër jush një komb, o shtëpia e Izraelit,

kumton Zoti, Perëndia i ushtrive,

do t’ju shtypin që nga Lebo Hamati

deri në luginën e Arabahut».


 c6.12 të tjerë: deti

 ç6.13 të tjerë: asgjë