Amosi 5

Vajtim për mëkatin e Izraelit

«Dëgjojeni këtë fjalë, që unë po thur si vajtim kundër jush, o shtëpia e Izraelit!

Ra e më s’do të ngrihet

virgjëresha e Izraelit.

U harrua në tokën e vet,

s’ka kush ta ngrejë.

Kështu thotë Zoti, Zoti im:

qytetit që dërgoi në luftë një mijë vetë,

do t’i mbesin vetëm njëqind

e atij që dërgoi njëqind,

do t’i mbesin vetëm dhjetë,

për shtëpinë e Izraelit.

Kështu thotë Zoti për shtëpinë e Izraelit:

kërkomëni e do të jetoni!

Mos kërkoni Betelin,

në Gilgal mos shkoni

e as nëpër Bershebë mos kaloni,

se Gilgali vërtet do të shpërngulet,

Beteli do të zhbëhet.

Kërkoni Zotin e do të jetoni!

Përndryshe do të vërshojë si zjarri

në shtëpinë e Jozefit, do ta përpijë

e s’do të ketë kush ta shuajë zjarrin në Betel.

O ju që krimbni drejtësinë

e të drejtën hidhni përdhe.

Ai që bëri Shenjëzat e Orionin,

që kthen terrin në agim

e ditën në natë e terratis,

ai që mbledh ujërat e deteve

e mbi faqen e dheut i dikon,

Zot është emri i tij.

Ai kundër të fortit shkatërrimin flakëron,

e mbi fortesat rrënimin dërgon.

10 O ju, që urreni gjyqtarin në kuvend

e atë që flet të vërtetën përçmoni,

11 ngaqë të varfrit i vini taksëb

e tagër merrni nga drithi i tij,

shtëpitë prej guri që ndërtuat nuk do t’i banoni,

vreshtat e vyer që mbollët nuk do t’i shijoni.

12 I di shkeljet tuaja të shumta,

mëkatet tuaja të mëdha,

o ju, që kundërshtoni të drejtin e merrni mitë,

ju, që vendosni ta hidhni tej të vobektin.

13 Ndaj i urti hesht në këtë kohë,

se kohë të liga janë këto.

14 Kërkoni të mirën e jo të ligën,

që të jetoni,

që me ju të jetë Zoti, Perëndia i ushtrive,

siç edhe thatë.

15 Urreni të ligën, duajeni të mirën,

vendosni drejtësinë në kuvend.

Ndoshta Zoti, Perëndia i ushtrive,

do ta mëshirojë tepricën e Jozefit.

16 Ndaj kështu thotë Zoti, Zoti im,

Perëndia i ushtrive,

në çdo shesh do të vihet kujë,

në çdo rrugicë do të thuhet: Mjerë, Mjerë!

Do të thërrasin bujkun, që zi të mbajë,

njehatoret për të vajtuar.

17 Në çdo vresht do të dëgjohen vaje,

se mes teje unë do të kaloj,

thotë Zoti.

18 Mjerë ata që dëshirojnë ditën e Zotit.

Pse e kërkoni ditën e Zotit?

Ajo është terr e jo dritë!

19 Është siç i ndodh atij

që ia mbath prej luanit,

por has arushën,

që hyn brenda në shtëpi,

mbështet dorën në mur

e gjarpri ia kafshon.

20 A s’është dita e Zotit errësirë e jo dritë,

terr e jo shkëlqim?

21 I urrej, i përçmoj të kremtet tuaja,

festat ku mblidheni nuk më kënaqin.

22 E në më kushtofshi fli shkrumbimi,

kushtimet tuaja s’do t’i pranoj,

flitë e majme të paqtimit s’do t’i vështroj.

23 Ma hiqni zhurmën e këngëve,

tingullin e lirës nuk e dëgjoj.

24 Le të rrjedhë drejtësia si uji,

e drejta porsi përroi që kurrë s’shteron.

25 A më sollët kushtime e flijime

dyzet vjet në shkretëtirë, o shtëpia e Izraelit?

26 Ju lartësoni Sikutin si mbret,

Kijunin si idhull e yllin si hyjni,

që i bëtë për veten tuaj.

27 Ndaj do t’ju shpërngul përtej Damaskut, thotë Zoti.

Perëndi i ushtrive është emri i tij».


 b5.11 ose: shtypni