Faji i Izraelit
1 «Dëgjojeni këtë fjalë, që Zoti foli kundër jush, o bijtë e Izraelit. Kundër gjithë familjes që nxori nga toka e Egjiptit:
2 “Ju jeni të vetmit që zgjodha
nga tërë fiset e dheut.
Ndaj dhe do t’ju ndëshkoj
për të gjitha fajet tuaja.
3 A udhëtojnë dy veta bashkë,
nëse nuk kanë lënë takim?
4 A ulërin luani në pyll,
nëse pre për të nuk ka?
A angullin këlyshi i luanit nga strofka,
nëse ka kapur gjë?
5 A bie në tokë fluturaku,
nëse laku nuk ngrihet për të?
A shkrehet kurthi nga dheu,
nëse nuk ka kapur gjë?
6 A nuk trembet populli,
kur kushtrimi i borisë
në qytet lëshohet?
A e zë fatkeqësia qytetin,
nëse Zoti nuk e dërgon?
7 Se, Zoti, Zoti im, nuk bën asgjë,
pa ia zbuluar synimet profetëve,
shërbëtorëve të vet.
8 Ulëriu luani,
kush nuk do t’i trembet?
Foli Zoti, Zoti im,
kush nuk do të profetizojë?
9 Shpall nëpër fortesat e Ashdodit,
nëpër fortesat e vendit të Egjiptit
e thuaj: ‘Mblidhuni në malet e Samarisë,
vrojtoni pështjellimet e saj
e zgjedhën që e ka zënë’.
10 Ata s’dinë si të sillen drejt,
kumton Zoti,
grumbullojnë dhunë
e shkatërrim në fortesat e tyre”.
11 Ndaj kështu thotë Zoti, Zoti im:
“Armiku do të ta rrethojë vendin,
forcën do të ta thyejë,
fortesat do të t’i plaçkitë”.
12 Kështu thotë Zoti: “Ashtu siç shpëton bariu nga goja e luanit dy këmbë apo ndonjë vesh, kështu do të shpëtojnë bijtë e Izraelit që banojnë në Samari e që shtrihen në një qoshe shtrati me shtrojë nga Damasku.
13 Dëgjoni e dëshmoni kundër shtëpisë së Jakobit,
kumton Zoti, Zoti im, Perëndia i ushtrive.
14 Në ditën kur të ndëshkoj shkeljet e Izraelit,
altarët e Betelit do t’i ndëshkoj.
Brirët e altarëve do të këputen,
ato do të bien përtokë.
15 Do ta rrënoj shtëpinë e dimrit
bashkë me atë të verës.
Do të shkatërrohen shtëpitë e fildishta,
shtëpitë e mëdha do të marrin fund,
kumton Zoti”».