1 «Kështu thotë Zoti:
“Për tri shkeljet e Moabit,
madje për katër,
s’do ta kthej ndëshkimin.
I dogji eshtrat e mbretit të Edomit,
shkrumb e hi i bëri.
2 Zjarr do të dërgoj kundër Moabit,
që fortesat e Keriotit të përpijë.
Do të vdesë Moabi nga britmat e luftës,
nga kushtrimi i borisë.
3 Do ta zhbij gjykatësin prej mesit të tij,
do ta vras bashkë me princat,
thotë Zoti”.
4 Kështu thotë Zoti:
“Për tri shkeljet e Judës,
madje për katër,
s’do ta kthej ndëshkimin.
E përçmuan ligjin e Zotit,
urdhërimet e tij nuk i mbajtën.
Gënjeshtrat e çuan në udhë të gabuar,
udhën që ndoqën edhe etërit e tij.
5 Zjarr do të dërgoj kundër Judës,
që fortesat e Jerusalemit të përpijë”.
6 Kështu thotë Zoti:
“Për tri shkeljet e Izraelit,
madje për katër,
s’do ta kthej ndëshkimin.
E shitën të drejtin për argjend,
skamnorin për një palë sandale.
7 Ia ngjeshën kokën të varfrit përdhe,
të përvuajturit ia ngatërruan udhën.
Atë e bir flenë me të njëjtën grua
dhe kështu përdhosin emrin tim të shenjtë.
8 Rrobën e marrë peng e bëjnë shtrojë
përbri çdo altari
dhe në shtëpinë e Perëndisë së tyre
pinë verën që morën si dëmshpërblim.
9 Unë para tyre i shkatërrova amoritët,
që ishin të gjatë porsi cedrat,
të fortë porsi lisat.
Ia shkatërrova frytin lart
e rrënjët poshtë.
10 Unë ju nxora nga toka e Egjiptit,
ju priva për dyzet vjet në shkretëtirë,
që tokën e amoritëve të zotëroni.
11 Nxora profetë prej bijve tuaj,
nazireas prej të rinjve tuaj.
A s’është kështu, o Izrael?
Kumton Zoti.
12 Por, ju u dhatë verë nazireasve,
profetët i urdhëruat të mos profetizonin.
13 Ndaj do t’ua trand tokëna nën këmbë,
siç tundet qerrja e mbushur me duaj.
14 Këmbëshpejti do të ngrijë,
i forti s’do të ketë forcë të qëndrojë,
trimi s’do ta shpëtojë dot veten.
15 Shigjetari s’do të rrijë dot në këmbë,
këmbëshpejti s’do të ikë dot,
kalorësi s’do ta shpëtojë dot veten.
16 Edhe trimi më guximtar,
do t’ia mbathë lakuriq atë ditë,
kumton Zoti”».